Menjëherë pas vënies së taksës prej 10 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave që vijnë nga Serbia, Lista Serbe e cila është në koalicionin qeveritar, ka thënë se do të mbështesë çdo përpjekje për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj.
Qëndrimi i saj u bë publik nëpërmjet një komunikate për media. Ky subjekt politik ka thënë se do të mbështeste çdo propozim për të rrëzuar qeverinë ndërsa paralajmëroi edhe protesta paqësore nëse masat e Prishtinës ndaj mallrave serbe nuk tërhiqen.
Koha.net ka marrë qëndrime nga partitë opozitare, se a do t’i pranonin votat e Listës Serbe, nëse këta janë afër për mocion mosbesimi.
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk ua kërkojnë votat Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj, por ka thënë se ato janë vota të deputetëve dhe si të tilla janë të pranueshme.
“Deklaratat e Listës Serbe duken më shumë deklarata presioni dhe shantazhi sesa deklarata për rrëzim të Qeverisë. Qeveria aktuale po ia plotëson çdo kërkesë Listës Serbe rrjedhimisht Beogradit dhe në këtë drejtim as këta nuk kanë interes për rrëzim. Ne konsiderojmë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, angazhohemi për këtë si opozitë, ne nuk do të bashkëpunojmë dhe as nuk do të shkojmë tek Lista Serbe për t’ia kërkuar votat, por meqë vota e tyre sikur e çdo deputeti numërohet, natyrisht që nëse ata votojnë për rrëzim, do të pranohet”, ka thënë Haxhiu për Koha.net, para se këtë përgjigje ta thoshte edhe në një konferencë për media të partisë.
Kjo Qeveri, sipas Haxhiut, qëndron në këmbë me votat e Listës Serbe dhe në këtë drejtim po bën skandale të vazhdueshme.
“Prandaj s’ka kuptim të thonë ‘mos na rrëzoni me votat e tyre’. Dëmet më të mëdha janë nëse ne ia zgjasim jetën kësaj Qeverie”, përfundoi Haxhiu.
Deputeti Ilir Deda nga Alternativa, ka thënë për Koha.net se për këtë çështje fillimisht do të duhej të bisedojnë partitë opozitare mes vete.
“Njëherë mendojmë që është primare të diskutohet ndërmjet partive opozitare. Pas kësaj të shihet se si do të veprohet tutje në këtë rrethanë të re. Nuk e kemi diskutuar këtë brenda Kryesisë, prandaj fillimisht ta diskutojmë mes vete”, ka thënë Deda.
Por deputetit të Alternativës nuk i duket e arsyeshme deklarata e Listës Serbe se Qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet vetëm për shkak se ka vënë taksën ndaj mallrave serbe.
“Nuk mendoj që duhet të rrëzohet Qeveria pse më në fund po merr hapa të duhur por të pamjaftueshëm për forcim të Kosovës. Qeveria duhet të rrëzohet për arsye të tjera. Por prapë po e them se kjo njëherë duhet të diskutohet brenda katër partive opozitare, që të shihet se cili do të jetë qëndrimi i përbashkët”, tha Deda për Koha.net.
Portali ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga PSD-ja e LDK-ja si parti opozitare. Shumica e deputetëve të Partisë Socialdemokrate të shtunën nuk kanë qenë të qasshëm për redaksinë e Koha.net-it. Kjo parti s’është përgjigjur as në komunikimin elektronik. Partia e Shpend Ahmetit u ka thënë dy partive të tjera opozitare, LDK-së dhe VV-së, se kur të duan i kanë gati 12 nënshkrimet e deputetëve të PSD-së për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Sidoqoftë, Koha.net nuk ka mundur të marrë një qëndrim as nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka kërkuar t’i dërgohen pyetjet me shkrim, por që nuk ka kthyer përgjigje.
E nga Qeveria e Kosovës, pranojnë se ka rrezik nga Lista Serbe.
Avni Arifi, që është shef i stafit në Zyrën e Kryeministrit Ramush Haradinaj, tha për Koha.net se rrezik nga Lista Serbe ka që nga dita e parë, sikurse nga secili partner tjetër i koalicionit. Por nëse Lista Serbe do që ta rrëzojnë Qeverinë, le ta bëjnë këtë.
“Është demokraci e gjithçka është çështje votash. Para se Lista Serbe ta votojë një qeveri tjetër, e ta votojë një mocion për rrëzim të Qeverisë, rruga e mbarë i qoftë. Ne i kemi partner koalicioni, kemi partneritet me ta derisa të na bashkojnë interesat. Ata nuk kanë obligim ndaj neve, ku të gjejnë më mirë le të shkojnë”, tha Arifi.
“I gëzohem një mocioni që opozita me Listën Serbe e bën kundër kësaj qeverie”, ka thënë Arifi, duke përmendur faktin se kundërshtimi i Listës Serbe vjen për shkak të taksës që Qeveria e Kosovës i ka vënë mallrave serbe.
“Rrëzimin e Qeverisë ndash le ta votojnë e ndash mos ta votojnë”, është shprehur Arifi.
Ndonëse partitë opozitare thonë se janë të gatshëm për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj, ata deri tani kanë deklaruar se i duhen edhe 4 ose 5 vota për ta rrëzuar atë.
Kujtojmë se Lista Serbe në krye me Sasha Milosavljevic, ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ata janë Miljana Nikoliq, Zoran Mojsiloviç, Jasmina Zivkoviç, Jelena Bontiç, Verica Ceraniç, Igor Simiç, Slavko Simiç, Srdjan Mitroviç dhe Adem Hoxha.
Në komunikatën e Listës Serbe, ku thotë se do të mbështesë përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë, ndër të tjera thuhet edhe se “serbët e Kosovës nuk mund dhe nuk duan të jenë peng i përfaqësuesve të papërgjegjshëm shqiptarë dhe luftës demagogjike dhe kapriçioze për mbijetesën e tyre politike”.
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...