Google ADS

Deklarata e Naser Rugovës e rrejshme, ambasada e Hungarisë nuk ka punuar me një nëntor

17:53 | 14 Nëntor 2018
A. B.

Naser Rugova ka gënjyer publikisht kur është arsyetuar për mungesën e tij, për votimin e rezolutës që do t’ia ndalonte Thaçit negociatat me Serbinë.
Ai kishte thënë se ka qenë në ambasadën e Hungarisë për termin për vizë, në ndërkohë ambasada më 1 nëntor nuk ka punuar.

Gazetari i Insajderi i ka telefonuar Ambasadës së Hungarisë në cilësinë e një aplikanti për vizë, ku ka kërkuar sqarime nëse Ambasada ka punuar më 1 nëntor.

Ata kanë thënë se ambasada nuk ka pranuar më 1 nëntor. Ndërkohë edhe në një njoftim të publikuar në web-sajtin e tyre, e konfirmojnë se Ambsada nuk ka punuar.

“Më 1 nëntor ambasadat hungareze dhe austriake në Prishtinë, mbajtën një ceremoni të përbashkët në varrezat ushtarake në Pejë. Ambasadori i Hungarisë, Laszlo Markusz, i Austrisë Gernod Pfandler, ambasadorja e Kroacisë, Marija Kapitanovic, ambasadori slloven Bojan Bertoncelj, Gazmend Syla në cilësinë e këshilltarit të kryeministrit, dhe Gazmend Muhaxheri kanë vendosur kurora lulesh në memorialin në Pejë”, thuhet në njoftimin e Ambsadës të lëshuar më 1 nëntor.

Insajderi e ka pyetur edhe zyrtarisht ambasadën, dhe ende nuk kemi marrë përgjigje.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar gjithashtu edhe me vetë deputetin e LDK-së, Naser Rugova.

Naser Rugova tash e pranon se nuk ka pasur termin për vizë, por nuk dëshiron të jap sqarime për deklaratën e tij.

Ai për dallim nga deklarata e parë, tash ka thënë se ka pasur një takim tjetër të nivelit “më të lartë”.

“Unë kam pas një takim, e kam kry punën teme dhe nuk kam obligim për takimet dhe formën që e kam pasur. Unë e kam dhanë sqarimin tim publik dhe jemi në rregull. Unë jam kanë në një takim në lidhje me viza, por edhe me një takim tjetër të një niveli pak më të lartë se vizat. Jemi në rregull, nuk kam obligim me bo publik. Shefi grupit paralmentar ka qenë i informuar dhe jemi në rregull. Ju e keni punën e juve, unë e kam dhënë sqarimin tim publik”, deklaroi Naser Rugova për Insajderin.

Por Rugova, ditën e dështimit të rezolutës kishte thënë decitivisht se ka termin për vizë në Ambsadën e Hungarisë.

“Skam marrë fare pjesë në votim se kam pas termin në ambasadë hungareze për vizë sepse kam udhëtim jashtë vendit. E kam pas të caktuar domethënë. I kam njoftuar edhe kolegët e grupit. Unë kam qenë deri 15 minuta para votimit, sepse kam vazhduar me taksi për në ambasadë. S’kam qenë fare i pranishëm në votim” kishte thënë Rugova për Express.

Më datën 1 nëntor të këtij viti, dështoi të votohej rezoluta e LDK-së që do t’ia ndalonte Thaçin diskutimin për kufijtë.

Debat i madh ishte shkaktuar pasi disa deputetë të LDK-së dhe VV-së, nuk kishin marrë pjesë në seancë.

Naser Rugova, Anton Quni, Korab Sejdiu, Fatmire Kollçaku ishin disa nga deputetët që nuk ishin në sallë për të votuar.

Kjo rezolutë nuk u miratua, pasi vetëm 50 deputetë votuan pro.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme