Google ADS

Darmanoviq: Nuk e di pse Serbia bën dramë që mbështetëm Kosovën në Interpol

21:01 | 21 Nëntor 2018
Arbresh.info

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, në lidhje me deklaratën e autoriteteve serbe mbi votimin e vendit të tij në favor të anëtarësimit të Kosovës në Interpol, tha se ata vetëm kanë përsëritur votën që kishin dhënë më herët dhe se Mali i Zi bën pjesë në mesin e vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Darmanoviq gjendet për vizitë zyrtare në Maqedoni, ku zhvilloi takim me homologun e tij maqedonas Nikolla Dimitrov, me të cilin mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

I pyetur të japë koment mbi deklaratat e zyrtarëve serbë, të cilët kanë thënë se janë të habitur nga fakti që Mali i Zi mbështeti pranimin e Kosovës në Interpol, shefi i diplomacisë malazeze tha:

“Unë duhet të them se nuk e di pse në Serbi bëhet dramë e madhe nga kjo. Ne njëherë kemi votuar për pranimin e Kosovës në Interpol, vetëm përsëritëm atë votë. Ne jemi në mesin e njëqind e më shumë vendeve që e kanë njohur Kosovën. Në dialogun Serbi-Kosovë, jemi partner konstruktiv dhe i inkurajojmë të gjejnë zgjidhje”, tha Darmanoviq.

Ai theksoi se nuk ka nevojë për habi nëse nuk bëhet fjalë për nevoja të brendshme politike në Serbi.

Për të njëjtën çështje, kryediplmati maqedonas Dimitrov deklaroi:

“Çështja nuk është e thjeshtë dhe vendimi nuk është i lehtë për shkak se me të dy vendet jemi fqinj. Por vendimi është konsistent në marrëdhëniet tona. Maqedonia është një nga vendet që e kanë njohur Kosovën”, deklaroi Dimitrov.

Darmanoviq gjatë konferencës për media po ashtu tha se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Malit të Zi janë duke përparuar në çdo fushë, ndërsa tha se vendi i tij mbështet implementimin e Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Gjatë vizitës, ministrat nënshkruan një marrëveshje për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella juridike-pronësore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme