Daku për Zonën Operative të Karadakut: 97 për qind e listës është e saktë

00:28 | 18 Shtator 2018
Trina Galanxhi

Ahmet Daku, është një prej 12 të akuzuarve që Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët e rrejshëm”.

Daku në Interaktiv të KTV-së, tha se në media është njoftuar se është i akuzuar. Ai tha se ligji do duhej të ndryshojë. Ai foli edhe për kërcënime. “Ka qenë proces i rëndë por e kemi zgjedhur këtë problem”, tha ai.

Në Zonën Operative të Karadakut, ka 396 anëtarë veteranë të cilët prokuroria i kategorizon të rrejshëm. E këtë, Daku e quan shokuese.

“Rreth 97 për qind prej tyre kanë qenë pjesëmarrës. Janë ndier edhe të fyer, sepse në një vend ku sundon ligji e rendi nuk dalin kështu të dhënat personale”, tha ai.

Përmendi shumë komandantë, emrat e të cilëve gjinden në lista. E quajti të papranueshme e lajm të keq. “Në këtë zonë njihemi thuajse gjithë së bashku. Kemi luftuar bashkë e tash po i shohim në listë”, tha ai. “97 për qind e tyre, janë veteranë të vërtetë”, tha ai.

Daku tha se Zona Operative e Karadakut, ka nxjerrë mbi 1 mijë veteranë, e prej tyre, rreth 400 supozohet që janë të rremë. “Janë pjesë e jona edhe ata, s’mund të jenë të rrejshëm”, tha ai.

“Prokuroria nuk është dashtë me gabu, punën e kemi bërë vullnetarisht. Puna e komisionit nuk është paguar, të gjithë kanë punuar vullnetarisht. Prokuroria është paguar prej taksave tona. Këta kanë të drejtë madje edhe të padisin atë organ që i ka cilësuar të rrejshëm”, tha ai.

Daku tha se ndonëse kjo është vetëm supozim, por megjithatë është e papranueshme. “Prokuroria nuk na ka pyetur fare. Ne u kemi kërkuar bashkëpunim. Ne jemi marrë në intervistë por kurrë s’na kanë kërkuar të bashkëpunojmë”, thotë ai, duke shtuar se Prokuroria nuk është dashur t’i lëshojë këta emra pa u konfirmuar gjithçka.

Daku tha se asnjë veteranë s’ka luftuar për beneficione. “Jemi të zhgënjyer shumë”, thotë ai.

Daku tha se me presion të madh ka filluar verifikimi i veteranëve të vërtetë e të rrejshëm. “Manipulimi i këtyre listave, s’është dashur të publikohet pa dalë në gjyq”, thotë ai.

Daku tha se si prokurori Elez Blakaj, edhe vetë ka pasë presione e kërcënime. “Por unë kam qëndruar këtu s’jam dorëzuar. Edhe Blakaj është dashur të qëndrojë këtu. Është dashtë me ngrit aktakuzën edhe me dalë me mbrojtë atë. Ashtu edhe neve na kish mbrojtë e ndihmu. Mua edhe në rrugë më kanë ndalë”, tha ai.

“S’është e drejtë të akuzohen njerëz me peshë të madhe, si këta veteranë”, tha Daku.

Ai tha se nuk beson që mund të ketë veteranë tani që figurojnë në lista, e që i bie se në kohën e luftës ishin fëmijë të vegjël.

“Ne s’kemi pasë të drejtë të marrim pjesë në verifikim e brigadës, psh Zonën e Shalës, apo tjetër”, tha ai.

Daku tha se numri i luftëtarëve ka qenë gjithmonë në lëvizje, prandaj, nuk deshi të komentojë numrin total të veteranëve. “As për zonën tonë s’kisha mujt me dalë me një numër”, tha ai.

Daku tha, se për këtë, duhet akuzuar edhe Parlamenti sepse nuk është dashur të bëhet Ligji për Veteranët.

“Ata kanë luftuar për vendin e vet, s’kanë luftu për dikë tjetër”, tha ai.

“Me këto lista, po bëhen padrejtësi, kanë lu me ndjenjat e njerëzve”, përfundon ai.

Kujtojmë se nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme