Daçiq: Na thonë “shikoni kah e ardhmja”, ndërsa mendojnë “njiheni Kosovën”

15:12 | 9 Tetor 2018
Arbresh.info

Ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, ka thënë se ka shumë “doktorë politikë” që e këshillojnë Serbinë që të orientohet kah e ardhmja, ndërsa me këtë ata në të vërtetë mendojnë vetëm “njohjen e Kosovës”, ndërsa ka pyetur ata se përse nuk e këshillojnë Kosovën “që të orientohet kah e ardhmja” dhe të njohë autonominë e Kosovës në Serbi.

“Çka nënkupton kthimi kah e ardhmja”, pyeti Daçiqi, i cili mori pjesë në panelin “Sfidat e Sigurisë në Ballkan” në Timishoara në Rumani, ku ai dhe ministri i jashtëm rumun, Teodor Meleshcanu shkëmbyen përvoja dhe reflektime mbi sfidat aktuale dhe shkaqet e tyre në rajon.

“Atë formulim e shfrytëzojnë doktorët politikë kur bëhet fjalë për Kosovën, ‘orientohuni nga e ardhmja, lëreni Kosovën’. Atëherë, pse s’thoni në Prishtinë ‘orientohuni kah e ardhmja, bëhuni autonomi në Serbi’. E rrihni dikë, e më pas i thoni ‘orientohuni kah e ardhmja’. Nuk është kjo kaq e thjeshtë. Janë parulla, nuk është jetë”, tha Daçiqi.

Ky reagim i Daçiqit erdhi në fund të panelit, ndërsa nga publiku i thanë se 90 për qind e prezantimit të tij ishte i shkëlqyeshëm, por fliste për të kaluarën, ndërsa “e ardhmja është çelës dhe në interes të shtetit tuaj”.

“Bëhuni konkretë, dhe më thoni çfarë dëshironi? A dëshironi që Serbia të njohë Kosovën”, pyeti Daçiqi.

“Këtu po flasim për probleme konkrete, që janë në zhvillim e sipër, që po ndodhin. Nuk po flasim për Mesjetën. Mund t’u thoni spanjollëve dhe katallanëve që të shohin kah e ardhmja. Mund t’i thoni edhe Moldavisë dhe moldavëve, që të shohin kah e ardhmja”, tha më tej ai.

“Ne jemi në proces të zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe kjo s’ka përfunduar, ndërsa ju bëhuni konkret dhe thoni çfarë mendoni në të vërtetë”, përfundoi Daçiqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme