Daçiq “druan” për ndonjë sulm në veri të Kosovës me përkrahje të jashtme

13:07 | 3 Tetor 2018
Arbresh.info

Në emisionin “Këndi i drejtë” të TV Vojvodinës shefi i diplomacisë serbe, Ivicia Daçiq, deklaroi se “nuk jemi të detyruar të flasim për ndryshimin e kufirit, por me siguri nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës”.

Daçiqi, duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë se “nuk ka më çfarë të flitet për ndryshimin e kufijve, meqë këtë e kanë hedhur poshtë edhe vendet e BE-së, por edhe serbët e shqiptarë”, u shpreh se “nuk është ky fundi i tregimit për ndryshim kufijsh”, meqë nuk ka ndonjë propozim tjetër.

I pyetur mos është kufizimi” një shprehje tjetër për kompromisin, Daçiq ka thënë: “Nuk do të thotë se është, por nuk di nëse dikush ka dhënë propozim tjetër” Me insistimin e TV Vojvodinës që të saktësojë idenë e rikufizimit dhe a vetëkupton kjo edhe njohjen e asaj që mbetet përtej vijës dhe që në të ardhmen do të quhet Republika e Kosovës, Daçiq u përgjigj se për këtë bisedimet as që kanë filluar.

Por, Daçiq nuk ka nguruar të thotë se “Rrezik i parë mbetet sulmi i armatosur në veri të Kosovës, si në rastin e “Stuhisë” (Oluja) në Kroaci, që dikush me ndihmën e jashtme të ekzekutojë “blickrig” dhe të sulmojë Veriun” (e ka fjalën për veriun e Kosovës – sqarim ynë).

Më këtë rast, Serbia ka vetëm dy mundësi – të futet në konflikt ose të qëndrojë anash, si në rastin në kohën e Kninit” (pra të “Stuhisë”, kur Kroacia me sulm ushtarak çliroi një krahinë të veten – sqarim ynë).

Në pyetjen se çka do ta pengonte “blickrigun” dhe “pastrimin” e Graçanicës, Gjilanit dhe të lokaliteteve të tjera nga serbët, në rast të marrëveshjes për ndryshim kufijsh, Daçiq është përgjigjur se kjo marrëveshje vetëkupton njëfarë ujdie midis të dy palëve , ndërsa po të hynte Serbia në konflikt kjo do të thoshte se ka hyrë në konflikt me KFOR-in, që do të komplikonte pozicionin.

Ndërsa rreziku tjetër në rast të konfliktit të ngrirë do të ishte se kështu do të ngrihej edhe udha europiane e Serbisë, ka thënë Daçiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme