Google ADS

Cilat shtete mund ta bllokojnë heqjen e vizave?

20:56 | 8 Tetor 2018
V. S.

Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri”, ka deklaruar se vazhdimisht është duke u lobuar në tri shtetet që janë skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën, raporton “zëri.info”.

Sipas Hoxhës sfida kryesore për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave është në Këshillin e Ministrave.

Zëri: Gjatë votimit në Parlamentin Evropian kemi informata se te disa shtete si Holanda, Franca e Gjermania ka hezitim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sa është duke u lobuar te këto shtete?

Hoxha: Ne vazhdimisht jemi duke lobuar edhe në Gjermani, edhe në Francë e Holandë, sidomos tani kur një ekip i nivelit teknik i përbërë nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Integrimit Evropian e Zyra e Kryeministrit, për t’i komunikuar Francës dhe ministrive përkatëse atje që Republika e Kosovës ka një “Track rekord”, ta quaj ashtu, sa u përket reformave, sidomos në sundimin e ligjit. Gjithashtu edhe statistikat se ne jemi mirë edhe sa i përket migrimit, jemi mirë me kontrollin e kufijve, edhe në fushatën vetëdijesuese. Qytetarët tanë nuk do të bëjnë rrezik për migrim të paligjshëm. Kjo është brenga kryesore e Francës dhe e Holandës, jo brengë ndaj Kosovës, por janë këto partitë e ekstremit të djathtë në rritje e sipër dhe janë shtete si Franca e Holanda që si themeluese të BE-së konsiderojnë se duhet ta bartin barrën që ta ndalin të djathtën ekstreme të përhapet. Por, jam e optimiste që me komunikim të vazhdueshëm të rezultateve do të jenë argumente të mjaftueshme ndaj hezitimeve që shtetet si Franca ose Holanda mund të kenë. Por prapëseprapë sfida kryesore mbetet votimi në Këshillin e Ministrave, pasi aty janë shtetet veç e veç që votojnë. Na nevojiten 55% e shteteve anëtare që përbëjnë 65% të popullsisë së BE-së.

Gjermania gjithashtu i ka hezitimet e veta. I kanë zgjedhjet tani në Landin e Bavarisë dhe duke ditur që partia në pushtet CDU-CSU i ka zgjedhjet në atë land dhe ajo i ka ato implikimit e veta në procesin e vendimmarrjes, por presim që pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve edhe Gjermania shpresojmë se do të jetë përkrahëse e madhe dhe pastaj ajo e bart atë peshën e vet pastaj në votën te shtetet e tjera. /ZËRI/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme