Cilat janë kushtet e Bashkimit Evropian për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë

23:47 | 23 Tetor 2018
V. S.

Rugova tregon dy prej kushteve kryesore

Sot në emisionin debatues “Click” në RTV21 u diskutua lidhur me vendimin e marrë nga ana e Qeverisë së Kosovës, për shpronësimin e ndërtesës së ish-ndërmarrjes “Gërmia”, dhe mundësinë e përshtatjes së kësaj ndërtese në sallë koncertale.

I ftuar në “Click” ishte drejtori i kulturës në komunën e Prishtinës, Yll Rugova i cili ka treguar se cilat janë kushtet e BE-së për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë.

“Një prej kushteve është që ndërtesa të mos ketë pengesa ligjore çfarëdo qofshin ato dhe sot me vendimin e kryeministrit njëra nga pengesat më të rëndësishme ligjore është hequr dhe e dyta që të jetë në një lokacion qendror që do të kishte vizibilitet edhe potencial për të qenë ‘land mark’ për qytetin e Prishtinës”, ka thënë Rugova.

Ai tha se mund të ketë edhe ndonjë diskutim tjetër sa i përketë emërtimit dhe destinimit të saktë të ndërtesës.

“Ndërtesa e ish “Gërmisë” i plotëson këto kushte, por për shkak se mund të ketë ndonjë pengesë pasi është në mbrojtje të përkohshme, është mirë që ne si komunë të jemi të kujdesshëm dhe ta kemi lokacionin alternativë dhe këtë e kemi bërë, tash e kemi edhe lokacionin alternativë në mënyrë që të garantojmë në çdo variant që do ta kemi sallën koncertale në Prishtinë”, ka thënë Rugova.

Ndryshe, Kabineti qeveritar ka miratuar vendimet për shpronësimet për interes publik dhe për marrjen e përgjegjësisë nga ana e Qeverisë së Kosovës për kryerjen e pagesës së shumës totale të vlerës së shpronësimit dhe kërkesave eventuale të kreditorëve për objektet e ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Gërmia”; Objekti Afarist përdhese, ish-Barnatorja e Qytetit; Ndërtesa e ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Rilindja”; dhe ndërtesës së ish-“Banka Themelore e Bankës së Lubjanës”. Objektet e shpronësuara janë në shfrytëzim për nevoja të akomodimit dhe punës së institucioneve shtetërore dhe publike të Republikës së Kosovës./21Media/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme