Çfarë thonë veteranët e UÇK-së për dorëheqjen e prokurorit që hetonte veteranët mashtrues

16:20 | 15 Gusht 2018
V. S.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, i cili po hetonte mashtrimet me listat e veteranëve, ka dhënë dorëheqje gjatë ditës së djeshme.

Elez Blakaj, ashtu siç edhe u konfirmua nga Kryeprokurori i Shtetit kishte marrë kërcënime përmes Facebookut nga persona të panjohur, mirëpo i njëjti nuk kishte kërkuar mbrojtje të afërt për veten, shkruan lajmi.net.

E tash që pozita e Blakajt ka mbetur bosh, pa kryesues kanë mbetur edhe hetimet për fryerjen e listave të veteranëve.

Mirëpo një gjë e tillë nuk po duket të jetë problem për vetë veteranët e UÇK-së.

Ata shpresojnë Blakaj do të zëvendësohet shpejtë nga një prokuror tjetër.

Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë për lajmi.net se lidhur me hetimet për listat e fryera, nuk ka shumë rëndësi emri i prokurorit i cili po i kryeson ato.

Ai thotë se edhe pas dorëheqjes së prokurorit në fjalë, rrjedha e hetimeve nuk do të ndryshojë.

“Për ne nuk është i caktuar emri i prokurorit, na kemi pasi shpresë në të sepse e ka marrë një çështje serioze, dhe na e kemi mbështet shumë në atë punë. Besoj që pse ai ka jep dorëheqje ai i di arsyet e veta, mirëpo nuk besoj që kjo do të ndryshoi diçka rreth asaj.  Besoj që shpejt do të gjindet një zëvendës që do ta merr përsipër këtë punë, nëse do të kishin rëndësi emrat”, ka thënë Haradinaj.

Njëjtë mendon edhe Xhevdet Qeriqi nga organizata e Invalidëve të Luftës.

Ai për lajmi.net tha se shpreson që sa më shpejtë prokuroria e shtetit të zëvendësoj pozitën e tij.

“Po besoj dhe do të shpresoj që dikush tjetër do të mirret me atë rast, shpresoj që sa më shpejtë prokuroria e shtetit ta zëvendësoj pozitën e tij”, ka thënë shkurt Qeriqi.

Kujtojmë se prokurori në fjalë kishte marrë në pyetje të gjithë anëtarët e Komisionit Qeveritar për Statusin e Veteranëve.

Këtë e konfirmoi për lajmi.net edhe vetë Shukri Buja, i cili ishte pjesë e këtij komisioni. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme