Çekia në përkrahje të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL

16:09 | 15 Qershor 2019
A. B.

Çekia i ka dhënë përkrahje Kosovës në procesin e anëtarësimit në INTERPOL dhe njëkohësisht në rrugën e saj të integrimeve evropiane.

Çekia dhe Kosova kanë nënshkruar një Marrëveshje të Bashkëpunimit Ekonomik, të parën që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Marrëveshja që u nënshkrua prej dy zëvendës kryeministrave, Behgjet Pacolli e Karel Havlicek, hap mundësitë e të dyja vendeve për identifikimin e fushave për bashkëpunim në ekonomi dhe rrit nivelin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ekipet e të dyja vendeve pritet që të nisin punën për zbatimin e marrëveshjes së arritur dhe për përcaktimin e plotë të hapave të mëtejmë.

Marrëveshja për Bashkëpunim Ekonomik me Çekinë merr rëndësinë posaçërisht për faktin e marrëdhënieve shumë specifike që Kosova ka me këtë vend, pavarësisht vendosjes së marrëdhënieve diplomatike prej shumë vitesh. Republika e Çekisë është një prej vendeve anëtare të BE-së me zhvillim të hovshëm ekonomik dhe deri sot, pavarësisht specifikave me Kosovën, e ka mbështetur atë në shumë fusha.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Kosovës në Pragë. Behgjet Pacolli takoi një numër udhëheqësish shtetëror në vizitën zyrtare përfshirë ministrin e jashtëm të Çekisë, Tomas Petricek por edhe Kryetari i Parlamentit çek, Radek Vondracek. Vizita ishte e para e këitj lloji që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Tomas Petricek në një deklaratë të lëshuar në gjuhën çeke pas takimit me ministrin Pacolli ka thënë se shkëmbimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Çekisë është rritur vitin e kaluar deri në 50 për qind në krahasim me një vit më parë.

“Gjurmët çeke po bëhen gjithnjë e më të dukshme në Kosovë. Njerëzit në Prishtinë e dijnë se autobusët e rinj ngjyrë portokalli për transport publik janë prodhuar në Republikën e Çekisë. Gjithashtu kemi eksportuar me sukses makinat për Policinë e Kosovës”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme Çeke duke cituar ministrin Petricek.

Në bazë të deklarimeve të ministrit Pacolli, Çekia ka lënë të kuptohet se do ta mbështes Kosovën në procesin e anëtarësimit në INTERPOL dhe njëkohësisht në rrugën e saj të integrimeve evropiane.

Çekia ka mbështetur publikisht Ballkanin Perëndimor dhe procesin e zgjerimit të BE-së njëkohësisht ka theksuar se “mirëpret përmbushjen e të gjitha kritereve nga ana e Kosovës për liberalizim të vizave”.

“I kam ofruar Ministrit ndihmën tonë dhe shkëmbimin e përvojave për transformim dhe integrim evropian”, citon kumtesa e MPJ të Çekisë deklaratën e Ministrit Petricek pas takimit me Ministrin Pacolli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme