Google ADS

Cakaj, Daçiqit në Varshavë: Për shkak të politikës suaj unë tash 28 vjet jam refugjat

20:00 | 12 Prill 2019
Arbresh.info

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj është përplasur me homologun e tij serb, Ivica Daçiq.

Shkak është bërë çështja e Kosovës, ku Daçiqi në fjalën e mbajtur deklaroi se Serbia nuk e njeh si shtet pasi është pjesë e saj.

Daçiqi tha gjithashtu se ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli nuk duhet të ishte pjesë e Ministerialit të Varshavës.

Por teksa Daçiqi po përpiqej të largohej, fjalën e ka marrë ministri shqiptar, Gent Cakaj i cili ka replikuar me homologun serb, raporton “VizionPlus”.

Cakaj në fjalën e mbajtur i kujtoi Daçiqit vitet e luftës dhe vuajtjet e popullit kosovar që është detyruar të kalojë në emigrim.

“E di që po më dëgjon prandaj po të flas. Fjalimi i Daçiqit është një retorikë e shekullit XX dhe totalisht pa vend dhe pa sens. Daçiqi ka 28 vite në politikë e unë kam 28 vite jetë. Por për shkak të 28 viteve të tij unë kam 28 vjet refugjat”, ka thënë Cakaj.

Pas kësaj replike, Daçiqi kërkoi të merrte fjalën sërish por nuk u lejua nga drejtuesi Ministerialit.

Ndërkaq, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, u bëri thirrje Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit të shohin me më shumë vëmendje sfidat e të rinjve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane, mungesa e të cilës mund të çojë, me gjithë përpjekjet tona për t’i zbutur, në thellim të sfidave të tyre”, tha Cakaj.

Ai vlerësoi se Procesi i Berlinit ka rritur në mënyrë të ndjeshme ndërlidhjen mes vendeve të rajonit, por theksoi se ende fatkeqësisht vihet re se është shumë e vështirë të ofrohen arritje konkrete në një ambient, i cili karakterizohet nga mosmarrëveshje të vazhdueshme me retorikë politike.

Cakaj cilësoi paradoksale që nga njëra anë nismat rajonale si Organizata Rajonale e Bashkëpunimit Rinor, apo Fondi i Ballkanit Perëndimor, përpiqen të ofrojnë projekte që adresojnë pajtimin mes kombeve, për ta kthyer rajonin në një hapësire sa më vibrante të bashkëpunimit rajonal dhe, nga ana tjetër kemi një rajon i cili po shndërrohet gjithnjë e më shumë në konservativ dhe nacionalist, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike mes shteteve.

Për këtë arsye, Ministri Cakaj theksoi se është shumë e rëndësishme që vendet tona të jenë më të vendosura për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe dhe kjo do të mund të arrihet vetëm nëse ka sinqeritet dhe përgjegjësi në adresimin e reminishencave të së kaluarës.

Ai shprehu besimin se Procesi i Berlinit i ka ofruar një dinamikë tjetër rajonit tonë, por kjo dinamikë ka nevojë të inkurajohet. “Rinia e vendeve tona ka nevojë të shikojë një perspektivë evropiane të prekshme nga Bashkimi Evropian”.

“Ajo që duhet të kuptohet” vijoi ai, “është se rajoni ynë nuk po kërkon të hyjë nesër në BE, por procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm dhe inkurajues për ndërmarrjen e reformave të nevojshme si shteti i së drejtës, reforma në arsim, zhvillimi ekonomik etj. Në këtë kontekst, liberalizimi i vizave me Kosovën apo hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë instrumentale për rritjen dhe thellimin e reformave”.

Ministeriali i Varshavës shërben si takim përgatitor për Samitin e Poznanit kushtuar Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në korrik 2019, në Poznan të Polonisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme