Buxheti nuk do të jetë problem për transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri

08:25 | 30 Tetor 2018
V. S.

Javë më parë deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, ndërsa as aspekti financiar nuk do të jetë pengesë për transformimin e FSK-së në Ushtri.

Ministri i Financave, Bedri Hamza në një intervistë për Telegrafin ka bërë të ditur se Ministria e Financave do të sigurojë fonde të mjaftueshme që ky transformim sa i përket aspektit financiar të ndodhë pa vonesa dhe pa probleme.

“Aspekti financiar nuk do të jetë pengesë për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, ku ne si Ministri e Financave do të sigurojmë fonde të mjaftueshme që ky transformim sa i përket aspektit financiar të ndodh pa vonesa dhe pa probleme. Ne edhe gjatë dëgjimeve buxhetore i kemi financuar 100 për qind kërkesat e Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës”, tha Hamza.

“Në mbledhjen e Qeverisë është kërkuar që kërkesat e tyre të janë në përputhje me strategjitë e tyre dhe ne si Ministri e Financave jemi pajtuar që të plotësohet kjo kërkesë dhe kjo është reflektuar në draftin e buxhetit në pjesën e nevojshme dhe kjo është proceduar në Kuvend ashtu siç e ka kërkuar Ministria e FSK-së”, tha ndër të tjera ministri Hamza.

Ndryshe, në seancën e 18 tetorit deputetët miratuan tri Projektligjet që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së, Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbim në FSK.

Të gjitha grupet parlamentare kishin votuar pro transformimit të FSK-së në, me përjashtim të Listës serbe e cila bojkotoi seancën e 18 tetorit.

1.- Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes – Më këtë Ligj bëhet riorganizimi dhe kalimi i MFSK-së në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi FSK-në me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Ministria e Mbrojtjes do të harton dhe zbaton politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivelin strategjik, si  dhe do të ushtron funksionet e kompetencat  e saj në përputhje me Kushtetutën.

Po ashtu, ky projektligj përcakton në mënyrë të detajuar edhe kompetencat e Ministrisë, kompetencat e Ministrit të Mbrojtjes e po ashtu edhe kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm.

2.- Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës – përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së , si forcë multietnike, profesionale,  e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe  interesave e Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

3.- Projektligji për Shërbimin në FSK – Ky projektligj rregullon  kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta,  paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

Ky projektligj përcakton kriteret e përgjithshme për shërbim, parametrat e shërbimit, kohëzgjatjen e shërbimit, zhvillimin e karrierës, ndërprerjen e shërbimit, statusin e pjesëtarit të FSK-së, të drejtat dhe detyrimet e pjesëtarëve dh çështje tjera në kuadër të shërbimit në FSK.

Është me rëndësi të theksohet se  në momentin e krijimit të rrethanave  të favorshme politike do të ndryshohet edhe emri përmes  procedurave të  ndryshimeve përkatëse kushtetuese.

Deklaratën e ministrit Hamza lidhur me buxhetin për transformimin e FSK-së në Ushtri mund ta ndiqni nga minuta e 16-të. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme