Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka shprehur hapur zyrtarisht qëndrimin e Shqipërisë ndaj debatit të fundit për korrigjim kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Bushati ka folur edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi, si dhe rreth diskutimeve për korrigjim të kufijve.
Në shtator të këtij viti pritet të mbahet takimi i radhës mes Presidentit Thaçi dhe Vuçiç në Bruksel. Nëse do të bënim një përmbledhje të asaj çfarë ka prodhuar ky dialog, a shihni më shumë fryte apo dështime të tij?
Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet vështruar si një arritje kyçe për vendosjen e raporteve të reja mes tyre dhe përforcimit të rrugës europiane për të dy vendet. Është për t’u vlerësuar fakti se që nga korriku 2017 faza e re e negociatave po drejtohet nga krerët e shteteve me synim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për palët, pa vonesa dhe pa devijime të procesit.
Krerët e shteteve si bartës të konceptit të unitetit të popullit kanë detyrimin të ndërtojnë platforma e procese të besueshme brenda shoqërive respektive. Duhet pranuar se njohja e Kosovës është parakusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. Kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim, i vizatuar enkas për Kosovën është demonstrim i këtij realiteti. Mbetet prioritar çmontimi tërësor i strukturave paralele serbe në veriun e Kosovës, sikundër zbatimi i marrëveshjeve në fushën e energjisë, lëvizjes së lirë apo njohjes së diplomave. Përveçse me impakt të drejtpërdrejtë në normalizimin e marrëdhënieve dhe në jetët e qytetarëve, moszbatimi i këtyre marrëveshjeve dobëson besimin mes palëve dhe besimin në vetë BE-në si palë ndërmjetëse.
Dëshirojmë që procesi i dialogut të finalizohet me një marrëveshje të detyrueshme për palët, që siguron njohjen e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës. Mirëpo, kur flitet për dialogun dhe një marrëveshje përfundimtare të detyrueshme për palët, duhet të merren parasysh zhvillimet gjatë dy dekadave të fundit. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se krijimi i Kosovës shtet është një projekt ndërkombëtar dhe produkt i mirëfilltë i një rendi ndërkombëtar, që mbështetej te zgjidhjet e bazuara në të drejtat e njeriut dhe pakicave. Është ky rend ndërkombëtar, i cili ka sjellë përfitimet më të mëdha si për Kosovën ashtu dhe më gjerë për shqiptarët në Ballkan.
Andaj, edhe ndjeshmëria e angazhimi ynë për të drejtat e njeriut dhe të pakicave si dhe për normat e së drejtës ndërkombëtare përbën tanimë një element të thurur në politikën tonë të jashtme e të sigurisë.
Nuk ka arsye të predikojmë ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar, duke vendosur në kolateral arritjet e mundimshme e transformuese të rajonit tonë të mundësuara pikërisht për shkak të këtij rendi ndërkombëtar.
Ndaj, nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo se si do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo. Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në “konflikte të ngrira”, si pasojë e tolerimit të “parimit të rivendosjes”, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon. Statusi i Kosovës është konfirmuar që me “Parimet Udhëzuese” të Grupit të Kontaktit, kur katër nga pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përkatësisht SHBA, Francë, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia, bashkë me Gjermaninë dhe Italinë parashtruan qartësisht se Kosova “duhet të mbetet multietnike dhe zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës”.
Po në këtë dokument u sanksionua gjithashtu se “nuk do të ketë kthim të Kosovës në situatën para vitit 1999, asnjë ndarje dhe as bashkim me ndonjë vend tjetër”. Në vijim, sovraniteti i Kosovës është konfirmuar në parimet bazë të “Planit Ahtisaari”, me shpalljen e pavarësisë në 2008-n dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e konsideroi pavarësinë e Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Cili është qëndrimi juaj ndaj propozimit për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve? Pse kjo heshtje e Tiranës zyrtare?
Nuk do të ishte realiste që për tema kaq të mprehta qëndrimet zyrtare të bazoheshin mbi aludime, veprimet taktike apo deklarime testuese.
Për Kosovën dhe statusin e shqiptarëve në rajon, Shqipëria ka një qëndrim të farkëtuar në vite që buron prej detyrimeve kushtetuese dhe unitetit politik e ndërpartiak. Në këtë prizëm, inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane.
Po ashtu, duhet pasur parasysh se çka është vendosur tashmë në kuadër të Paketës së Ahtisaarit, e mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, nuk do të mund të tjetërsohet përmes një marrëveshjeje të re.
SHBA, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit për të siguruar që shoqëritë mbeten të hapura. Kjo mbetet një sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Rajoni ynë ka pësuar ndryshime të mëdha në dekadat e fundit, në sajë të fuqisë transformuese të BE-së. Dalja nga ky kurs do t’i kushtonte shqiptarëve dhe të gjithë rajonit.
Ju pritët para pak ditësh një përfaqësi të Luginës së Preshevës, të cilët dëshirojnë bashkimin me Kosovën. Çfarë biseduat konkretisht?
Takimi u përqendrua rreth situatës së të drejtave të shqiptarëve, që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe zhvillimet e tanishme në rajon. Shqiptarët atje përballen me vështirësi të panumërta, si në rrafshin politik e administrativ, ashtu dhe në atë zhvillimor, arsimor e ekonomik. Shqipëria do të vijojë të kërkojë nga Serbia as më shumë e as më pak se të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë dhe të njëjtin presion konstruktiv presim dhe nga SHBA dhe partnerët tanë europianë./panorama
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...