Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë raportuar si të zhdukur rreth 100 persona, shifër kjo që për dy vitet e fundit sillet rreth 350 të zhdukur. Policia nuk ka treguar se çka ka ndodhur me fatin e tyre. Në shumicën e rasteve të zhdukurit u përkasin moshave të reja, derisa qytetet në të cilat ndodhin këto raste më shumë janë Prizreni, Istogu, Peja dhe Shtimja.
Binak Uka nga fshati Bokshiq i komunës së Klinës, ishte zhdukur mëngjesin e së martës që shkoi. I moshuari nuk e kishte marrë me vete as kuletën e as telefonin.
Sipas familjarëve nga shtëpia kishte dalë pa paralajmërim, derisa për herë të fundit 75 vjeçari ishte parë i gjallë në disa pamje të kamerave në fshatin Grabanicë.
Ai ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët edhe në Polici. Ndërkohë, pas katër ditësh kërkime Policia e Kosovës bashkë me njësinë për kërkim-shpëtim të FSK’së arritën ta gjejnë trupin e pajetë të 75 vjeçarit në lumin Drini i Bardhë, në afërsi të fshatit Gremnik-Klinë.
“Sot me datë 07.06.2019 rreth orës 16:20, Policia e Kosovës në bashkëpunim të plotë me njësinë për kërkim-shpëtim të FSK-së, kanë arritur ta gjejnë personin e zhdukur, viktima është gjetur në lumin Drini i Bardhë, në afërsi të fshatit Gremnik- Klinë, i cili ishte pa shenja jete”, njoftoi të premten Policia.
Një rast i tillë është raportuar edhe në Podujevë këtë javë.
Dita e Bajramit ishte hera e fundit që Edita Maxhuni-Xhaka i pa të dy fëmijët e saj. Që nga ajo ditë, 26-vjecarja nga fshati Mirovc i Komunës së Podujevës doli nga shtëpia dhe nuk u pa më.
Vendndodhjen e saj askush nuk po e di. Madje as burri me të cilin nga martesa nëntë vjeçare Edita i ka dy fëmijë.
Express gjatë ditës së hënë ka qëndruar në familjen ku ishte e martuar Edita. Burri i saj Flamuri ka deklaruar se nuk kanë pasur probleme me gruan e tij.
Hetime rreth këtij rasti tashmë ka nisur policia e Kosovës nga rajoni i Podujevës. Zëdhënësi i policisë i tha gazetës se janë në dijeni për rastin dhe se tashmë për këtë punë i kanë nisur hetimet.
Komandanti i policisë në Podujevë, Bekim Zogiani ka thënë se policia ende nuk ka rënë në gjurmë se ku mund të ketë shkuar Edita.
“Me datë 4 ka ardhur një person në stacionin policor dhe ka raportuar se gruaja/bashkëshortja e tij ka dal nga shtëpia dhe sipas informacioneve ai nuk e dinte se nga ka shkuar. Policia e Kosovës, stacioni në Podujevë e ka hapur rastin dhe deri më tash nuk kemi ndonjë informacion se ku është ai person ose nga ka shku”, ka sqaruar Zogiani.
Por, këta nuk janë të vetmit persona që janë raportuar si të zhdukur këtë vit.
Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë raportuar rreth 100 raste të personave të zhdukur.
Numër i lartë i personave të zhdukur po del të ketë qenë edhe gjatë vitit të kaluar. Sipas Policisë, vjet ishin zhdukur rreth 250 persona.
Por, për fatin e tyre në Polici nuk kanë treguar.
“Duke ju referuar të dhënave në PK, në vijim keni të dhënat e kërkuara lidhur me rastet e raportuara rreth personave të zhdukur. Për vitin 2018 janë raportuar 248 raste, derisa për vitin 2019 deri me datë 11.06.2019 janë raportuar 95 raste”, thuhet në përgjigjet e Policisë drejtuar Gazetës Express.
Në shumicën e rasteve personat që raportohen si të zhdukur janë të moshave të reja, ndërsa për nga gjinia e të zhdukurve thonë se dominojnë vajzat.
Madje, deklarojnë se në shumë prej rasteve vajzat ikin për të shkuar tek të dashurit e tyre, e për ditë me radhë nuk u lajmërohen familjeve dhe për këtë arsye raportohen si të zhdukura.
Derisa thonë se pas disa ditësh vetë familjarët raportojnë në polici se të njëjtat janë gjetur.
Ndërkohë, qytetet në të cilat ndodhin më së shumti raste, sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, mbeten Prizreni, Istogu, Mitrovica, Peja dhe Shtimja.
Jaha: Më 9 shkurt LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në...
Katër vitamina dhe minerale të nevojshme për çdo shqiptar
“E di që do të na mungoj”, Arioni flet i përlotur pas largim...
Francë/ Teleferiku përplas stacionin e mbërritjes, 8 persona...
Gresa, Sara dhe Ana hamendësojnë për arsyen e daljes së Dian...
Kura kundër kolesterolit dhe dhimbjes së kyçeve, ja si ta pë...