Është paralajmëruar disa herë se përgjigjja pozitive për liberalizim të vizave për Kosovën, do të merret më së largu deri në fund të këtij viti, por kjo gjë po duket se do të vihet në pikëpyetje.
Të paktën kështu është shprehur vetë i pari i Ekzekutivit, Ramush Haradinaj, i cili ka deklaruar ditë më parë se Ish-prokurori Elez Blakaj, me deklaratat e tij lidhur më listat e veteranëve do të ndikojë në shtyrje të liberalizimit të vizave për Kosovarët.
E me këtë mendim të tij po pajtohen edhe njohësit e integrimeve evropiane.
Në një përgjigje për Arbresh.info, Avni Mazreku, Profesor i Integrimeve Evropiane, ka thënë se të gjitha lajmet negative për Kosovën do të ndikojnë në përgjigjen përfundimtare për liberalizim të vizave.
“Problemet më të mëdha që i ka Kosova për liberalizim të vizave është zbatimi i rendit dhe ligjit dhe një sistem të drejtësisë të fortë, dhe pikërisht tash ky problem dhe këto debate që po bëhen tash janë një plus dëm që do t’i shkaktohet Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe përplasjet mes Ekzekutivit dhe Drejtësisë e pengon këtë proces. Ky debat do ta vështirësoj procesin për liberalizim të vizave”.
Madje ai shton se i gjithë procesi varet nga jo se çka shërben Kosova në arenën ndërkombëtare. Ndërsa thotë se njëri nga skenarët më të këqij në këtë drejtim është edhe bashkimi i ndonjë shteti tjetër me 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Qëndrimi i shteteve anëtare në Bashkimin Evropian e thonë fjalën e fundit për liberalizim të vizave dhe është e pamundur të parashikohet nëse deri në fund të vitit do të kemi një lajm të mirë, pasi që siç e dimë janë 5 shtete të cilat ende nuk na kanë njohur dhe këto mund të dëmtojnë procesin dhe skenari më i frikshëm është që këtyre 5 shteteve të ju bashkohet edhe ndonjë shtet që na ka njohur dhe të pengoj këtë proces dhe të merret një vendim negativ për Kosovën. Kosova duhet të punoj dhe të jap lajme të mira jo vetëm në Drejtësi por edhe në Arsim edhe në sektor të tjerë dhe prodhimi i lajmeve të mira mund të ndryshojnë qasjen e vendeve të BE-së, ndaj Kosovës”, u shpreh Mazreku.
Kurse, analisti politik Donik Sallova, mendon se çështja e prokurorit të dorëhequr Blakaj mund të përdoret si shkas nga Bashkimi Evropian për të zgjatur procesin e udhëtimit pa viza. Por që, sipas tij e tërë arsyeja për prolongim është epilogu i bisedimeve Kosovë-Serbi.
“Unë besoj që çështja e liberalizimit te vizave do të prolongohet nga BE-ja derisa të kemi një epilog të bisedimeve Kosovë-Serbi. Çështja e kryeprokurorit Blakaj mund të merret si shkas nga BE për të stërzgjatur vendimin për Kosovën. Unë nuk besoj që prokurorët në vendet fqinje janë më të lirë dhe më të pavarur se sa prokurorët kosovarë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar në vendet e Ballkanit perëndimor është pothuajse në të njëjtin nivel në secilin vend. Por, BE nuk do rrezikoj t’ua heq vizat kosovarëve, ku një numër i konsiderueshëm mund të lëviznin drejt vendeve të BE-së, ku prej tyre mund të ketë që do të kërkoj azil dhe kështu akoma pa u zgjidhur çështja kruciale që lidhet me negociatat me Serbinë të kemi një problematikë tjetër të shkaktuar nga liberalizimi. Blakaj mund të jetë vetëm shkaku i legjitimimit te një vendimi prolongues i cili padyshim është vendim politik”, u shpreh Sallova.
Elez Blakaj ditë më parë ka dhënë dorëheqja nga pozita e prokurorit special duke cituar si arsye ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor./Arbresh.info/V.Selimi/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...