Për deputetin Hajdar Beqa, përfaqësues i PDK-së në Komisionin Hetimor parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, dështimi i dëshmisë së presidentit Hashim Thaçi para deputetëve ndodhi për shkak të mungesës së përvojës së dy drejtuesve.
Deputetët Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes dhe Driton Selmanaj i LDK-së janë drejtues të Komisionit. E në Interaktiv të KTV-së, Beqa ka thënë fjalë të rënda për deputetin Selmanaj dhe për deputetin tjetër të LDK-së, Anton Quni.
Derisa është kthyer në retrospektivë të Komisionit, ai ka thënë se “ka marrë një mandat Kuvendi”.
“E kemi pas një kohë për të cilën nuk kemi arrit ta kryejmë punën. Kemi pasur edhe polemika mes vetes, por po them se, unë së paku, kam qenë i interesuar që ta zbardhim fatin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq”, ka thënë Beqa.
Por ai ka akuzuar deputetët e opozitës në Komision se kanë bërë përpjekje që të bëjnë politikë me punën në këtë Komision.
“Kanë provuar që të përfitojnë politikisht. Sidomos këta të LDK-së. Pikërisht mes atyre dyve është një garë për kryetar të degës në Prizren, dhe më shumë kanë folur për elektoratin e vet atje sesa për turqit”, ka thënë Beqa.
Duke folur për deputetin Driton Selmanaj, ai ka thënë nuk merr vesh fare në punën e Kuvendit.
“Për mua është deputeti më i paaftë në Kuvendin e Kosovës. Në Komision, përveç filozofisë ai s’kupton asgjë tjetër. Nuk e njeh as LDK-në. Ai bën manipulime dhe ende mendon se është duke punuar për të fituar grante, a për të bërë manipulime me atë OJQ-në e vet”, ka thënë Beqa.
Madje sipas Beqës, Selmanaj vetëm ka pasur fat që i ka ra numri i partisë dhe është bërë deputet.
“Sepse ma merr mendja se në zgjedhjet e ardhshme në Kuvend mund të vjen vetëm për të parë ndonjë koleg”, ka thënë Beqa. “Ai i OJQ-së ka dëshirë me kanë i meçëm, por mundësia edhe dëshira janë tjetër gjë”, ka shtuar ai.
Kur ka folur për deputetin e LDK-së, Anton Qunin, ka thënë se në bazë të informatave, është kandidat për kryetar të LDK-së. Sipas tij, në prag të zgjedhjeve ai gjithnjë bën replika me Thaçin, Veselin etj, për t’i përdorur në fushatë.
“Ai është veçse mashtrues ordiner dhe përfitues lufte”, tha Beqa, për të cilin tha se në luftë nuk është plagosur por është plagosur diku tjetër.
“Jam optimist që s’ka mundur në prehër t’i mbajë as fëmijët e vet. Quni ka ardh në përfundim të luftës, ka marrë pjesë vetëm deri kur është vrarë Agim Ramadani e më pas është marrë me objekte e jo me luftë. Ai ka qenë frikacak në luftë e në paqe. Thaçi e tha më së miri, ai ka qenë mercenar”, tha Beqa.
Kur është kthyer te puna e Komisionit dhe raportimi i Thaçit aty, ai ka thënë “nuk kemi pasur vullnet ta dëgjojmë presidentin”.
“Nuk ka pas vullnet t’i përgjigjemi presidentit në pyetjen që ka pasur. Kemi pasur kohë që në pauzën e kërkuar nga ai t’i drejtohemi Zyrës Ligjore së Kuvendit, dhe brenda 20 minutave do të na përgjigjej. Ne kemi dështuar. Komisioni nuk ka pasur vullnet ta dëgjojë presidentin”, ka thënë Beqa.
“Edhe ekspertiza e famshme e atij ekspertit të famshëm, nuk e përmend për asnjë moment presidentin Thaçi. E kam lexu me vëmendje, është përshkrim i fjalëve të Samisë, Xhelalit e Dritonit, por nuk ka asgjë më shumë. Asnjë provë nuk e kemi pasur deri tash, asnjë dëshmi, asnjë zyrtar nuk na ka thënë se ka marrë urdhër nga z. Thaçi, a z. Haradinaj a z. Veseli për dëbimin e tyre”, ka thënë ai.
Thotë se puna e tij ka qenë subjektive.
“Nuk e kundërshtoj punën e tij, angazhimin e tij, edhe pse konsideroj që kemi shkelur nenin 21 kur kemi votuar sepse është i njëanshëm. Është mik i njërit nga anëtarët e Komisionit. Nuk mund ta kyç ekspert dikë që dalë tërë ditën pi kafe me të sepse ai s’është objektiv por subjektiv, në këtë rast është subjektiv”, tha Beqa në Interaktiv të KTV.
Beqa ka mohuar se ka pasur ndonjë dakordim paraprak me Thaçin, për mbarëvajtjen e punës në Komisionin ku presidenti do të raportonte.
“Kryetari (Sveçla) dhe zëvendëskryetari (Selmanaj) i bie që kanë pasur dakordim me zotin Thaçi për ta prishur raportimin në Kuvend. Sepse nuk e kanë drejtuar siç duhet Komisionin”, ka thënë Beqa.
Sipas tij, tani duhet t’i jepet hapësirë më shumë presidentit Thaçi për t’u sqaruar.
Me dëshmitarët e ardhshëm, sipas tij, mbyllet i gjithë procesi rreth dëbimit të shtetasve turq.
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës