Belegu: Vetëvendosje dëshiron t’ia japë tregun e Kosovës mikut të tyre, Serbisë

00:11 | 5 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Sipas Erolld Belegu, këshilltarit të kryeministrit në dorëheqje, Vetëvendosje me idenë e reciprocitetit me Serbinë, po dëshiron t’ia japë tregun këtij shteti, që sipas tij, është mik i VV-së.

Ai ka thënë se ideja për reciprocitet nënkupton që të hapet tregu plotësisht, ku Serbia do të sillte në Kosovë mallra me vlerë 700 milionë euro, e Kosova në Serbi rreth 30 milionë euro.

“VV-ja thotë reciprocitet, formë ndryshe për të hequr taksën. Ne importojmë 700 milionë euro nga Serbia e ata 30”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se në këtë rast 700 milionë euro mallra serbe do të hynin në Kosovë, e 30 milionëshi i Kosovës do të hynte atje, ndërsa bizneset do t’i bllokonin mallrat e Kosovës brenda Serbisë. “Kështu do t’ia hapin mikut të tyre, Serbisë, tregun. Ashtu po duket. Nëse duan reciprocitet, me e hap tregun, ashtu i bie”.

Sipas Belegut, VV-ja po e bën këtë që “t’u hyjë në qejf ndërkombëtarëve, sepse e di që nuk i preferojnë shumë”.

Ai ka thënë se lideri i VV-së, Albin Kurti e ka kundërshtuar edhe LDK-në, ndërsa tash po thotë se është e mirë.

“VV e ka të qartë, dëshiron pushtetin dhe është e gatshme të premtojë gjithçka. Kauzën për bashkim kombëtar ua ka marrë presidenti, e për shtet brenda kufijve ua ka marrë Haradinaj me vepra jo me fjalë. Kanë mbetur pa kauzë”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme