Duke folur për deklaratat e më hershme të eksponentëve të tash PSD-së, veçmas të Dardan Molliqajt se AAK-ja është parti e haraçit, Belegu ka thënë se ato janë deklarata mes kundërshtarëve politikë.
“Ndoshta para se të hy në AAK edhe unë kam pasur mendim të njëjtë për Ramush Haradinaj, por kur kam hyrë e kam parë që nuk është ashtu. Kam parë që ai është në gjendje sërish që të sakrifikojë familjen për Kosovën”, ka thënë Belegu.
Belegu ka mohuar se si këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj ka ndihmuar që të zhvillohen bizneset e tij.
“Unë i kam shitur të gjitha aksionet në të gjitha bizneset e mia”, ka thënë Belegu.
Belegu ka treguar se Haradinajn e ka fqinjin e dytë në kompleksin e shtëpive që e ka ndërtuar firma e tij.
“Ka marrë kredi në Raiffeisen Bank. E vërtetë është se shtëpinë ia kemi dhënë më lirë. Por shumë miqve ia kemi dhënë më lirë. Kontrata është private, por banka e di”, ka thënë Belegu.
Belegu ka folur edhe për kompleksin e ri të shtëpive në lagjen Prishtina e Re, por sërish ka mohuar se kjo ka lidhje me postin e tij në Qeveri.
Kompleksi Prishtina e Re, për të cilin janë marrë vesh Ramush Haradinaj si kryeministër dhe Shpend Ahmeti si kryetar i Prishtinës, e ku është thënë se do të ndërtohen edhe godina të institucioneve shtetërore, Belegu ka thënë se në këtë rast përfitues do të jetë shteti. Sipas tij, shteti do të ofrojë tokën e vet për investitorët e në kompensim të kësaj do të marrë 30 për qind të hapësirës ndërtimore, e që sipas tij mund të arrijë në mbi 1 milion metra katrorë.
Belegu nuk e ka përjashtuar mundësinë që, siç ka thënë, ish-firma e tij, të marrë punë në këtë kompleks, por ka thënë se sipas planit aty do të ketë punë për të gjithë ndërtuesit në Kosovë.
Belegu ka thënë se Haradinaj ka gabuar me rritjen e pagës, por, sipas tij, ai “meriton pagë më të lartë për punën që bën”. Belegu ka thënë se Haradinaj ka punuar 14 orë në ditë. Sipas tij, ai e meriton një mandat të ri para të tjerëve, për shkak “se e ka dëshmuar që punon”.
“E dëgjova sot kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, edhe është e lehtë me bë siç thoshte ai. Thjesht e zhbën Kushtetutën dhe i ndërron nja 85 ligje. Kemi gabime edhe ne. Mendoj se Qeveria s’ka vetëm një gabim. Pagat janë një nga to. Por secili gabon. S’gabon vetëm ai që rri te shtëpia, apo fle. Sikur qeveria Mustafa që flinte e s’ka asnjë punë për t’u mbajtur në mend”, ka thënë ai.
Belegu ka thënë se personalisht do të preferonte një koalicion paszgjedhor me LDK-në, ndërsa ka përjashtuar VV-në e PDK-në.
“AAK-LDK më duket më natyrale. Me VV-në do të kishim probleme për shkak të konceptit ekonomik. Ata e kanë konceptin komunist. PSD-ja s’e ka njëjtë. Do të dalë programi jonë. Kemi akomoduar disa kërkesa të tyre. Jemi më të afërt ne në pikëpamje dhe deri sa e afruam programin, e mendoja sikur të hynin LDK-VV si do të sinkronizoheshin. Aleanca është më e afërt në këtë pikëpamje me LDK-në. S’mendoj më koalicion me VV-në e PDK-në”, ka shtuar ai.
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Deputetët e Komisionit për Shëndetësi presin në takim presid...
Mblidhen sot katër komisione parlamentare
Harris apo Trump, amerikanët votojnë për presidentin e ri
Osmani merr pjesë në lanisimin e raportit të UNICEF-it mbi n...
Moti për sot në Shqipëri