Ashtu siç kemi qenë bashkë në vitin 98/99, duhet të jemi të bashkuar edhe sot karshi Serbisë, thotë Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jasharit dhe nipi i komandantit legjendar, Adem Jashari.
Në një intervistë dhënë arbresh.info, Jashari ka shtuar se politikanët duhet t’i lënë anash inatet personale dhe të bashkohen duke gjetur një zgjidhje e mos të dëmtohen marrëdhëniet me Amerikën.
Sipas tij taksa ka qenë e drejt, por tashmë duhet të ulën dhe të mendojnë se çka tutje, “o’ sot, o’ kurrë” thotë Jashari.
“Puna e Taksës don analizë të thellë, unë jam deklaruar edhe më herët se ne si popull duhet të jemi të vetëdijshëm, të ndihmojmë politikën tonë, duke i bojkotuar produktet e hasmit tonë. Për taksën të gjithë duhet të jemi bashkë. O’ sot, o’ kurrë. Qysh kemi qenë bashkë në vitin 98/99 duhet më qenë edhe tash pasi kemi të bëjmë më të njëjtin agresor. Duhet të lihen inatet personale mes vete mos me u gju me fjalë por duhet të bëhemi bashke dhe të ulemi e të dalim me një gjuhë të përbashkët, nëse jo do të pendohen nesër nëse diçka shkon keq në vendin tonë. Taksa ka qenë e mirë, por tash tu i pa relacionet nga SHBA, duhet të ulen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët sepse bëhet fjalë për një mik të Kosovës. Politika jonë duhet më u ul me i qitë pikat. Nëse e heqim këto janë pikat dhe ku do të arrijmë deri në fund dhe jo të provojmë urën me sy mbyllur”.
Për kryetarin e Skenderajt, faqja me Serbin tashmë duhet të përmbyllet. Ndonëse thotë se duhet të rregullohen raportet me “hasmin” shekullor, ka një drojë për bisedimet më Serbinë. Sipas tij fatkeqësisht historia ka treguar se gjithmonë Shqiptarët, kanë çaluar në tavolina të bisedimeve.
“O’ sot, o’ kurrë, politika jonë shqiptare ka nevojë më u bë bashkë dhe me përmbyllë këtë proces me hasmin tonë shekullor dhe me i rregullua raportet. Fatkeqësisht me u ndalë me këqyr historinë na shqiptarët gjithmonë kur jemi ul në tavolinë kemi çalu. Ishalla këtë herë jo.”
Ndonëse e tërë familja e tij dhanë jetën për liri, Jashari është kritik ndaj gjendjes aktuale në Kosovë dhe skemës politike.
Sipas tij kjo nuk është Kosova për të cilën kanë sakrifikuar shumë dëshmor.
“Kjo nuk është Kosova për të cilën kanë ra dëshmor, jo vetëm familja ime, por të gjithë ata, që e kanë kapë pushkën para 20 viteve kanë qenë patriotë. Tash kemi një gjeneratë të re që luftën e ka më të dëgjuar dhe këta dëshirojnë vend të qetë, e të sigurt, dhe me zhvillim ekonomik që kur ta përfundojnë shkollën, me pas ku me punu”.
Jashari kërkon nga skema politike që t’i hapin sytë dhe të punojnë për zhvillimin e vendit. Ai thotë se është e dhimbshme se në vend që të protestojmë për zhvillim ekonomik para Qeverisë, qytetarët duhet të protestojnë për tema të dhimbshme për Kosovën.
“Këta duhet më i qel sytë. Për mu është patriot barazi me ata që kanë kap pushkën, ai që krijon vende të reja pune dhe hap fabrika. E kjo nuk qëndron. Nuk ka Qeveri tash e 20 vite, s’ka mujt me përfundu mandatin pa lind një temë nacionale që na ka prekë gjakun në vena, që ne me harru zhvillimin ekonomik, në vend që me dal para Qeveris për zhvillim ekonomik na duhet më dal me protestu për tema të dhimbshme për Kosovë”./Vlora.Selimi/Arbresh.info/
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”