Google ADS

Behgjet Pacolli rrënon pretendimet e Daçiqit, asnjë shtet nuk e ka tërhequr njohjen

17:08 | 3 Prill 2019
A. B.

Paraditja e të mërkures për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e punëve të jashtme Behgjet Pacolli, vijoi me disa takime të tjera të nivelit të lartë.

Synimi i këtyre takimeve është intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh me vendet njohëse të Kosovës, duke filluar nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, dhe duke përcaktuar një agjendë hapash të përbashkët në gjirin e organizatave ndërkombëtare.

Kështu ai takoi Presidentin e Guinesë Bissau, Jose Mario Vaz, presidentin e Liberisë, George Weah, presidentin e Gambisë, Adam Barrow, si dhe kryeministrin e Sao Tome, Patrice Emery Trovoada.

Përfaqësuesit e këtyre shteteve i rikonfirmuan kryediplomatit kosovar njohjen dhe mbështetjen e parezerv të shtetit të Kosovës, për çka propaganda serbe, përmes ministrit të saj, Ivica Daçiq, pretendonte se janë tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës.

Shpifjet dhe falsifikimet e Ivica Daçiqit nuk mund ta mposhtin Republikën e Kosovës në rrugën e fuqizimit ndërkombëtar.

Në kuadër të takimeve që po i zhvillon në Senegal, ministri Behgjet Pacolli ka takuar kryeministrin e Sao Tome, Patrice Emery Trovoada.

“Natyrisht, përkundër secilit ‘pretendim’ donkishotësh të fqinjëve tanë verior, mbështetja e Sao Tome asnjëherë nuk ka munguar. Kryeministri Trovoada u zotua se vizitën zyrtare në Kosovë do ta zhvillojë në të ardhmen e afërt”, ka shkruar Pacolli.

Ai gjatë ditës ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Guinesë Bissau, Jose Mario Vaz, i cili pritet shumë shpejt ta vizitioj Kosovën.

Kryediplomati kosovar, Pacolli, ka njoftuar edhe për një takim me George Weah, President i Liberisë dhe fitues i topit të artë në futboll në kohën kur ishte futbollist profesionist.

Pacolli tha se nga Weah mori përkrahje dhe e njoftoi për kombëtaren e futbollit të Kosovës.

Edhe presidenti i Gambisë, Adam Barrow ka garantuar kryediplomatin kosovar, Behgjet Pacolli, se ky shtet rikonfirmon mbështetjen e plotë për secilin hap ndërkombëtar të Kosovës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme