Google ADS

Bëhen ndryshime në Projektligjin për mësimdhënësit e viteve të 90’ta

08:56 | 2 Nëntor 2018
Arbresh.info

Për shkak të implikimeve buxhetore është dashur të bëhen disa ndryshime në projektligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.

Ndryshimet parashohin që kjo kategori mos të gëzojë pension meritor, por pensionit bazë t’i shtohet shuma prej 23 deri në 53 euro. Zyrtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit kanë thënë se ndryshimet janë të papranueshme, pasi që sipas tyre, projektligji i ndryshuar është fyes për mësimdhënësit e asaj kohe.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Arsim, kryetari i komisionit, Ismail Kurteshi, theksoi se ndryshimet në këtë projektligj janë bërë duke u bazuar në sugjerimet që janë marrë nga Qeveria, përkatësisht nga Ministria e Financave dhe faktorët ndërkombëtarë.

“Të gjitha informatat dhe sugjerimet i kemi mbledhur prej faktorëve të brendshëm, që janë ministritë dhe qeveria, po ashtu dhe të faktorëve të jashtëm që kanë ardhur për të na konsultuar, edhe pse ne si kemi ftuar, si përfaqësuesit e Bankës Botërore, Komisionit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në kemi ardhur në ketë përfundim.”

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës se Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i tha Radio Kosovës se kundërshtojnë këto ndryshime dhe theksoi se përveç versionit final nuk do të pranojnë as një ndryshim në ketë projektligj.

“Ne si sindikatë do ta njoftojmë edhe kryeministrin e vendit sepse ai me qeverinë e ka votuar siç ka qenë versioni i parë. Dhe për në formën siç është prezantuar tani, është i pa pranueshëm, dhe do ta bëjmë publike dhe do t’i thërrasim edhe punëtorët e arsimit të reagojnë kundër tendencës për degradimin e punëtorëve dhe ligjit”, tha ai.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën, se tash është krijuar një situatë problematike, ngase ky proces veç ka filluar, dhe se miratimi i këtij projektligji mund të nxisë që edhe kategoritë e tjera që kanë kontribuar në ketë periudhe të kërkojnë kompensim.

“ Kjo tash është shumë problematike, se tash është ngritur kjo proces, dhe tani është vështirë të ndalet kur po shohim që të gjitha kategoritë po përfitojnë. Në momentin që ngritët kjo çështje e kompensimit të mësimdhënësve të viteve të 90-ta, unë mendoj se do të hapen edhe kapituj të tjerë nga kategori të tjera që kanë kontribuar në atë kohë”, tha ai.

Përfaqësuesi Rezident i FMN-së në Kosovë, Ruud Veremulen, përmes adresës elektronikë, ka thënë për Radio Kosovën se nga këndvështrimi i tyre, Ligji për mësimdhënësit e viteve ’90-ta, do të duhej të ri-dizajnohet që të ketë trajtim të drejtë për mësimdhënësit dhe taksapaguesit, duke ofruar një kompensim të arsyeshëm dhe afatgjatë që Kosova mund ta përballojë. Ai tha se draftligji aktual është shumë i kushtueshëm dhe do të rrezikonte qëndrueshmërinë e financave publike të Kosovës. Ndryshe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të viteve të 90-ta është miratuar në maj të këtij viti, me 71 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme