Google ADS

BE nuk do t’ia hapë asnjë kapitull Serbisë

15:18 | 4 Qershor 2019
A. B.

Mediat e Kroacisë raportojnë se Serbia mori një dush të ftohtë nga Brukseli këtë muaj pasi nuk do të hapet asnjë kapitull i vetëm deri në fund të Presidencës rumune të BE-së

Serbia shpreson të hapë së paku kapitullin 9 mbi shërbimet financiare, por për këtë nuk ka konsensus në Këshillin e BE, edhe pse Rumania po punon për të marrë mbështetje për të, shkruan Euractiv.jutarnji.hr.

BE hedh poshtë pretendimet se bëhet fjalë për bllokadë, por sipas burimeve diplomatike të Euractiv.jutarnji.hr, deri te kjo ka ardhur pasi Serbia nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme për të bindur shtetet anëtare se mund të ecë përpara në negociatat e pranimit, transmeton KosovaPress.

Disa vende anëtare të BE-së kanë kërkuar që raporti i fundit mbi progresin e Serbisë, botuar nga Komisioni Evropian javën e shkuar, të lexohet me kujdes dhe pastaj do të jetë më e qartë pse negociatat nuk shkojnë sipas ritmit të dëshiruar.

Edhe pse normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një kusht kyç që Serbia duhet të përmbushë në procesin e pranimit, i cili përfshihet në Kapitullin 35, nuk ishte në këtë kohë arsyeja për mos hapjen e kapitujve të tjerë.

Euractiv.jutarnji.hr gjithashtu shkruan se mediat serbe shpesh përmendin se Kroacia qëndron prapa ngadalësimit të negociatave, por thekson se kjo nuk është e vërtetë. “Shumica e kapitujve nuk hapen për shkak të skepticizmit më së shpeshti në Francë, Gjermani dhe Holandë. Këto vende nuk janë ndryshe shumë të prira për të përshpejtuar procesin e zgjerimit, pavarësisht nga vendi kandidat”, shkruan media kroate.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme