Bashkimi Evropian t’i përgjigjet vendimit të Prishtinës për taksën ndaj mallrave serbe

16:58 | 7 Nëntor 2018
V. S.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën doganore prej 10 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje dhe Hercegovinës.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka reaguar pas vendimit që ka marrë Qeveria e Kosovës për taksën doganore prej 10 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake, transmeton lajmi.net.

Siç shkruan “Tanjug”, Daçiq, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i përgjigjet vendimit të Prishtinës për këtë taksë doganore dhe se sipas tij, me këtë veprim Prishtina ka treguar se nuk dëshiron dialog me Beogradin.

“Nuk kemi çfarë të ndërmarrim. Kjo është mënyra se si funksionon Prishtina”, citohet të ketë thënë Daçiq.

Sipas tij, një vendim i tillë nuk është vetëm në kundërshtim me marrëveshjen e Kosovës me BE-n, por edhe në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s si dhe në kundërshtim me idenë për një hapësirë të përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të proklamuar nga komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn.

Ai vlerësoi se një vendim i tillë nga Prishtina nuk drejtohet vetëm ndaj Serbisë, por është edhe mesazh për BE-në në lidhje me liberalizimin e vizave, e që sipas Daçiqit, Serbia nuk e kundërshton liberalizimin e vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj, transmeton më tutje lajmi.net.

Tutje Daçiq ka thënë se Serbia nuk do të marrë asnjë hap ndaj vendimit që Kosova ka marrë për taksën doganore që i ka vënë mallrave të Serbisë, po ai tha se, do të kërkoj reagim  nga Bashkimi Evropian për këtë vendim që kanë marrë institucionet e Kosovës.

Këto komente kreu i diplomacisë serbe i bëri gjatë konferencës me ministrin e Punëve të Jashtme të Unionit të Komoreve, Suef Mohamed El-Amini, ku edhe zyrtarisht paraqitën tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme