Bashkimi Evropian nuk duhet të fajësohet nga përfaqësuesit politik kosovarë për mosliberalizimin e vizave.
Gjatë ditës së sotme ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha është takuar me kryesuesin e Komisionit për punë të jashtme, siguri, mbrojtje dhe të drejta të njeriut në Parlamentin Evropian, David McAllister, me të cilin ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave.
Gjatë këtij takimi në Strasburg, Hoxha ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizim dhe ka kërkuar nga McAllister përkrahje në këtë proces.
“Është radha e BE-së të kryejë pjesën e vet pasi që ne kemi plotësuar kriteret”, ka thënë ministrja Hoxha, duke kërkuar që ky proces të procedohet sipas afateve në mënyrë që lëvizja e lirë të mos bëhet pengesë e zhvillimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Mirëpo, fajësimin që institucionet e Kosovës po ia bëjnë Bashkimit Evropian, po shihet si i papranueshëm dhe i pafalshëm.
Taulant Kryeziu, Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Institutit EPIK, ka thënë për lajmi.net, se Kosova nuk duhet t’ia hedh fajin e vet Bashkimit Evropian.
Sipas Kryeziut është vet Kosova, pra institucionet ato që nuk i kanë përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen.
Ai ka theksuar se vet përfaqësuesit politik kanë bërë gabim kur në vazhdimësi kanë dhënë deklarata se në vitin 2018 Kosova do ta merr liberalizimin e vizave.
“Përfaqësuesit institucional kanë filluar që t’i ndërrojnë deklaratat e tyre prej vizitës së COWEB. Unë personalisht prej marsit dhe kohën e fundit edhe në cilësinë e përfaqësuesit të EPIK-ut, kemi argumentuar që skenari më produktiv është që në 2018-ën me u konsumua procedura vendimmarrëse brenda Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Tash kur ka ardhur COWEB-i në Kosovë ua ka dhënë një dozë të ftohtë kryesisht në fushën e sundimit të ligjit dhe këta (përfaqësuesit politik) kanë filluar që ta ndërrojnë diskursin publik edhe së fundmi ne e patëm në Kosovë dje deputetin gjerman Peter Beyer që është përfaqësues i CDU-së në parlament të Gjermanisë i cili e tha troç se kushdo që argumenton se në 2018-ën ka lëvizje të lirë e ka gabim. Dhe përfaqësuesit politik kanë filluar që ta ndryshojnë komplet diskursin publik prapë për këtë çështje me e fajësua Bashkimin Evropian”, ka treguar Kryeziu për lajmi.net.
Sipas tij, fajësimi i Bashkimit Evropian në këtë proces është i pafalshëm dhe i patolerueshëm.
“Fajësimi i Bashkimit Evropian për këtë proces është i pafalshëm, i papranueshëm dhe një gjuhë e tillë fajësuese ndaj një partnerit strategjik që e kemi ne është e patolerueshme. Asnjë institucion i BE-së, asnjë vend anëtarë i BE-së asnjëherë nuk ka përmend vitin 2018 vit të lëvizjes së lirë për qytetarët tanë. Kjo ka qenë retorikë boshe e kësaj qeverie, e këtij koalicioni të cilët kanë shënuar regres në fushën e sundimit të ligjit”, ka thënë Kryeziu i cili shtoi se, sulmet që iu kanë bërë sistemit gjyqësorë nga ana e deputetëve është shumë e natyrshme që të gjitha këto rezultojnë që me u rrit skepticizmi edhe më i madh në Gjermani, Francë, Holandë edhe në vendet e tjera.
Siç theksoi Kryeziu për lajmi.net, Kosova tash gjendet në fazën e vendimmarrjes politike, pra në fazën e dialogut ndërinstitucional.
“Problemi është se kjo fazë është vendimmarrje politike e tyre, pra kur ata janë të gatshëm me e marrë një vendim sa i përket këtij procesi. Momentalisht ku gjendet Kosova është në atë fazën e dialogut ndërinstitucional. Duhet me ardhur deri te një marrëveshje e përkohshme joformale pastaj ajo duhet të shkojë në komitetin LIBE, seancë plenare, në CRETER edhe në Këshillë. Por kjo me ndodhë duhet me pas vullnet politik mirëpo, në qoftë se ne kohëve të fundit kemi treguar disa shembuj negativ nëse marrim rastet e shënjestruara prej 44 vetëm 2 janë viktimë dënuese edhe atë profil i mesëm dhe asnjë profil i lartë”, u shpreh ai duke shtuar se, nuk ka vullnet politik që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur.
Ai edhe një herë e ripërsëriti se askush nga BE-ja nuk u ka thënë përfaqësuesve kosovarë që të premtojnë datë në 2018 dhe sipas tij, kjo ka qenë gafë e madhe e përfaqësuesve politik kosovarë dhe në këtë mënyrë, duke e parë dështimin e tyre po mundohen t’ia hedhin Bashkimin Evropian, e që siç u shpreh Kryeziu, fajësimi i BE-së është i rrezikshëm për partnerin tonë strategjik, raporton lajmi.net.
Kujtojmë se pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE-së i japin vlerësimet e tyre.
Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen. /Lajmi.net/
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok