Bajrami: Kushtetuta duhet të ndryshohet në disa segmente

09:03 | 9 Prill 2019
Arbresh.info

Arsim Bajrami, një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, ka bërë me dije se ka ardhur koha që ky dokument të rishikohet në disa segmente.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re” me rastin e Ditës së Kushtetutës, ai ka thënë se në rast të një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rishikohet e drejta e shumicës së dyfishtë për komunitetet, e cila tani garantohet me Kushtetutë.

Sipas Bajramit, këtë të drejtë komuniteti serb e ka keqpërdorur gjatë këtyre 11 vjetëve, duke bllokuar miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese ka treguar se akti më i lartë juridik dhe politik në vend duhet të rishikohet edhe në disa aspekte të tjera.

“Në radhë të parë duhet të rishikohet në raport me institucionin e presidentit të Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt, mendoj se pa vonesë duhet të bëhen amendamentet adekuate që të ndërrohet mënyra e zgjedhjes së presidentit. Pra, të kalohet nga presidenti i zgjedhur nga Kuvendi, në një president të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët. Kjo do ta rriste besimin te presidenti, do ta forconte legjitimitetin e tij dhe do ta shmangte presidentin nga zhvillimet aktuale politike. Deri më tani sa herë është zgjedhur presidenti në Kuvend gjithmonë kemi pasur kriza politike të cilat kanë ndikuar pastaj edhe në zgjedhjen e kryeministrit. Definitivisht, tani nga fjalët duhet kaluar në vepra. Besoj se presidenti duhet të procedojë me amendamentet, sepse ka të drejtë të bëjë amendamente. Nuk duhet të presë që këtë ta bëjë në fund të mandatit, por tani është koha t’i propozojë amenda- mentet në mënyrë që presidenti i ardhshëm të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli”, ka theksuar Bajrami.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme