Google ADS

Bajrami: Këto dy vjet është qeverisur në bazë të Kanunit e odave

00:00 | 14 Gusht 2019
Trina Galanxhi

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se qeveria Haradinaj ka keqpërdorur taksat e qytetarëve në baza ditore, kanë shkelur ligjet, por mbi të gjitha, tha se gjatë këtij mandati “është qeverisur në bazë të Kanunit”.

“Kemi pasur kapje ditore të shtetit, keqpërdorim ditor të taksave të qytetarëve, një qeveri me 22-23 ministri. Raporti i auditorit për vitin 2018 është tmerrues se çfarë është bërë me taksat e qytetarëve të Kosovës. Është e paimagjinueshme deri në çfarë shkalle është shkelur Kushtetuta, secili ligj, dhe thjesht është qeverisur në bazë të Kanunit, në bazë të odave, në bazë të asaj se unë mund të bëjë diçka”, tha Bajrami në Interaktiv të KTV-së.

Bajrami, që njëherësh është edhe pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, foli edhe për programin qeverisës së LDK-së, duke përmendur si një prej pikave zvogëlimin e kabinetit qeveritar.

“Gjithë kohën kur është folur për riformatim të Qeverisë Mustafa, ideja ka qenë të zvogëlohet numri i ministrive. Duhet të bashkohen ministri që mbulojnë një fushë. Haradinaj, një ditë para se të jepte dorëheqje, ka emëruar 2 zv/ministra. Në njërën anë e rriste kabinetin, e në anën tjetër e bënte një ligj që ia kufizon kabinetin një qeverie të ardhshme. Besoj se duhet të bëhet ligji për numrin e ministrive. Por, nëse ne fitojmë dhe e miratojmë ligjin për zvogëlimin e kabinetit qeveritar, ai ligj duhet të zbatohet në atë mandat, e jo për mandatin tjetër”, theksoi ajo, raporton Koha.net.

Tutje, ajo tha se Qeveria Haradinaj ka qenë e pafuqishme në shkarkimin e ministrave nën aktakuzë.

“Kjo është ajo pafuqia e kryeministrin Haradinaj. Ai dha dorëheqje për të shkuar në Hagë, por s’ishte në gjendje të shkarkonte asnjë ministër nën aktakuzë”, u shpreh Bajrami.

Për koalicionin e mundshëm me PDK-në, deputetja e LDK-së tha se Këshilli i Përgjithshëm i partisë ka diskutuar për mundësinë e koalicioneve paszgjedhore.

“Në vitin 2014 e dimë të gjithë ngërçin 6 mujorë që patëm. Nuk shohim absolutisht të mundshëm një bashkëpunim me PDK-në sepse besojmë thellë se kjo parti duhet të shkojë në opozitë për të paktën dy mandate, të pastrohet, të largojë kriminelët nga gjiri e saj e më pas të dalë të kërkojë votën qytetare. Me këtë përbërje s’mund të thotë se po e luftoj korrupsionin. Qytetarët tani po e dinë. Kemi parë reagimet e Ambasadave në vend që flasin gjithmonë për eksponentë të PDK-së që në mënyrë joligjore dhe jomeritore mbajnë pozita kyçe në Kosovë. Kemi vija të kuqe për PDK-në, si për koalicion parazgjedhor ashtu edhe për atë paszgjedhor”, deklaroi ajo.

Deputetja e LDK-së e quajti të befasishëm reagimin e vendeve të Quintit, të cilat sot kërkuan vazhdimin e dialogut. Ajo tha se vendi nuk ka Qeveri dhe s’ka kush të dialogojë.

Sa i përket tarifës 100%, Bajrami tha se beson që “ajo duhet të suspendohet kur Serbia t’i plotësojë kushtet për të cilat është vënë”.

“Por, Qeveria aktuale e ka vënë taksën dhe në emër të saj ka abuzuar me paranë publike në baza ditore. Çkado që kemi pyetur në publik qeverinë aktuale, ata e kanë përmendur tarifën. Është shfrytëzuar për të mbuluar skandalet e tyre. Qeveria e ardhshme nuk do ta mbajë taksën për këto arsye. Nëse vjen deri te suspendimi i saj, ne do t’i kemi kushtet: Serbia duhet t’i plotësojë kushtet të cilat janë vënë me vendosjen e taksës”, tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Nëse këto kushte nuk plotësohen, taksa absolutisht nuk do të hiqet. Miqve ndërkombëtarë nuk mund t’iu thuash se ‘nuk dua ta heq taksën’. Duhet të arsyetohet përse nuk e heqim. Qeveria aktuale ka thënë ‘nuk e heq edhe pikë’. Kështu nuk dialogohet me miqtë ndërkombëtarë. Sa i përket dialogut, LDK-ja ka qëndrimin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Ne nuk do të bëjmë asnjë kompromis sa i përket këtyre”, përfundoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

 

Të ngjashme