Bahtiri flet pas takimit me Thaçin: Garantoj që Mitrovica do të bashkohet

09:07 | 23 Janar 2019
V. S.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, është shprehur i bindur pas takimit me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, se bashkimi i Mitrovicës është një proces që sipas tij do të ndodhë sigurt.

Bahtiri në Klan Kosova, ka thënë që për këtë çështje po merr përkrahje edhe nga liderët partiak dhe ata ndërkombëtarë.

“Jo vetëm me Thaçin po edhe gjithë liderët partiak dhe ata ndërkombëtarë jam duke i takuar lidhur me këtë çështje.Po ju garantoj se do të bashkohet Mitrovica, nuk është punë e lehtë për të ardhur deri te ajo por jemi në rrugë të mbarë që ta bëjmë Mitrovicën që une e kam ëndërruar dhe unë e kam lënë gjithë atë pasuri siç është familja dhe kam ardhur të bëhem kryetar i kësaj komune – pa asnjë interes”.

“Edhe në peticion e kemi shkruar se pa i prekur interesat e shtetit të Kosovës ose kufijtë e Kosovës mendojmë ta bëjmë bashkimin. Peticion që e kanë nënshkruar qytetarët të cilin e kam dërguar te Veseli mendoj se  duhet të respektohet dhe besoj që s’ka një deputet që nuk e ka një pikë gjak shqiptari nuk e voton bashkimin e qytetit”, ka thënë Bahtiri.

“Nuk ka të bëjë me takimet apo dialogun me Serbinë që do të udhëhiqet nga delegacioni i uroj sukses atyre, po kjo natyrë e takimit të qytetit vjen nga plagët e rënda”.

“Kjo natyrë e bashkimit të qytetit vjen nga plagët e rënda të cilat i ka marrë qyteti i Mitrovicës që janë të papërballueshme dhe ne duhet që gabimin që e kanë bërë në atë kohë që kanë menduar që qyteti dhe qytetarët e veriut do të trajtohen barabartë dhe do të bëhet një punë e mirë- kjo që ka ndodhur me Mitrovicën është një diskriminim total i qytetarëve”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme