Arianit Koci, avokati i ministrit të Diasporës Dardan Gashi, ka thënë që pret vetëm gjobë në rastin për gjuajtjen me armë në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj në fund të vitit 2017.
Ka shtuar se ligji e parasheh që dënimi me gjobë nuk pengon një person të ushtrojë funksionet publike.
Koci ka thënë në KTV se ministrat Dardan Gashi si dhe ai i Tregtisë, Endrit Shala, janë penduar shumë për veprën e tyre.
Në seancën e sotme, të dy pranuan veprën e gjuajtjes me armë me gaz, ndërsa thanë se kanë gjuajtur pa e ditur që kjo përbënte vepër penale. Njëjtë është shprehur edhe Koci që ka thënë se ata s’do të përsërisin më këtë formë festimi.
“Gjykata duhet të marrë pranimin e fajësisë. Me pranim çdo i akuzuar merr benefitet ligjore. Duhet të ketë parasysh që s’është lënduar askush. Janë penduar. E kanë të gjithë si rast të parë. Janë të padënuar më parë. Njëri tha prej tyre se ishte më 1986 i dënuar, por me ligj konsiderohet i padënuar sepse ka kaluar në periudhën e rehabilitimit. Ekspertiza forenzika ka vërtetuar se ishin armë me gaz. Ato janë marrë për të krijuar ndjenjën që po festohet me traditën, të cilën unë s’e përkrahi. Kanë menduar se është e lejuar, por më vonë e kanë kuptuar që jo. Për të krijuar efektin më të madh të zhurmës e kanë gjuajtur jashtë. Të gjithë janë shumë të penduar për këtë veprim. Janë penduar, e kanë pranuar fajësinë e janë linçuar. Dënimi më i madh është linçimi. Janë penduar e më s’do ta përsërisin”, ka thënë ai.
Sipas tij, deri tash janë krijuar praktika që kur dikush gjuan me armë për herë të parë, të ketë gjobë ndaj tij.
“Praktika është që në herën e parë sanksionohen me gjobë, e kjo gjobë eventuale s’do t’iu pengojë në ushtrimin e funksioneve publike. Edhe nëse dënohen, gjobiten, s’iu pengon të kryejnë funksionet publike. Pres të gjobiten me të holla, sepse është praktikë e krijuar qe vite me radhë. Me ligj është e paraparë që dënimi me gjobë nuk pengon një person në ushtrimin e funksioneve publike”, ka thënë ai.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të premten, më 1 mars.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...