Avokati Gashi: Gjykata Speciale ka ndryshuar mënyrën e ftesave për dëshmitarët

18:51 | 18 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Gjykata Speciale ka ndryshuar mënyrën e ftesave për dëshmitarët të cilët do të intervistohen nga prokurorët specialë.

Avokati i njohur Tomë Gashi ka thënë se nga fillimi ka pasur ankesa për mënyrën e thirrjes së dëshmitarëve nga Gjykata Speciale.

Sipas tij mënyra e thirrjes së intervistuesve që nga fillimi është dashur të jetë në harmoni me dispozitat ligjore të Kosovës.

Gashi thotë se këto ftesa është dashur të jenë në formë të shkruar dhe të njoftohet personi se në çfarë cilësie po ftohet të merret në pyetje.

“Sa unë kam njohuri Gjykata Speciale e ka ndryshuar mënyrën e dëshmitarëve të ftuar. Mënyra e thirrjes së intervistuesve është dashtë prej fillimit të jetë ligjore dhe të jetë në harmoni me dispozitat e ligjore të Kosovës por edhe me rregullat e Zyrës së Prokurorit Special në Hage apo Gjykatës Speciale. Është dashtë që gjithmonë të dërgoheshin në formë të shkruar ftesat dhe të njoftohet personi se në çfarë cilësie po ftohet të merret në pyetje”, ka thënë Gashi për Zëri.info.

Sipas tij, nëse këto njoftime mungojnë atëherë mund të krijohet konfuzion që më vonë edhe të keqpërdoret deklarata e dikujt pa e ditur se në çfarë cilësie është bërë.

“Kam kërkuar që për secilin klient të dërgohet ftesa në formë të shkruar ashtu siç përcaktohet me ligj dhe të dërgohet materiali me anë të së cilit klienti do të njoftohet se për çfarë është i interesuar Prokurori që ta intervistojë. Mund ta përgatisin ftesën më mirë që deklarata të jetë në interes të atyre që i përcakton”, ka shtuar më tutje Gashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme