Asnjë lajm nga Presidenti në Davos, Guterres: Bota po humbë garën kundrejt ndryshimeve klimatike

12:12 | 24 Janar 2019
arbresh.info

Sot, po vazhdon punimet Forumi Ekonomik Botëror në Davos, atje ku po qëndrojnë, liderë dhe sipërmarrës të fuqishëm botëror. I pranishëm në këtë forum është edhe presidenti, Hashim Thaçi.

Ai ende nuk ka bërë të ditur nëse gjatë punimeve  ka patur ndonjë takim me liderë të tjerë nga vende të ndryshme të botës. Forumi po shënon ditën e katërt, dhe deri më tani ka patur adresime nga liderë të shumtë botëror.

Sekretari Gjeneral i OKB-së, Antonio Guterres, thotë se bota po humbë garën kundrejt ndryshimeve klimatike, shkruan arbresh.info.

“Thatësira, stuhi dhe përmbytjet po vrasin mijëra njerëz dhe komuniteti ndërkombëtar nuk po bën mjaft. Ne kemi nevojë për politikë për të arritur qëllimin e Marrëveshjes së Parisit”, është shprehur Guterres në adresimin e tij.

Në panele të ndara po diskutohet edhe për ardhmërinë e financave. Flukset e kapitalit ndërkufitar kanë rënë 65% që nga kriza financiare, ndërsa teknologjitë e reja të prodhimit dhe financave po transformojnë peizazhin për rritje dhe investime. Panelistët po diskutojnë se si duhet të përshtatet arkitektura financiare globale.

Në një panel tjetër po diskutohet Udhëheqja e gruas. Ndërkohë që numri i udhëheqësve politike femra është rritur, numri i CEO-ve femra të kompanive Fortune 500 ka rënë me 25% në vitin 2018. Këtu, panelistët po diskutojnë se si mund të përdoret vala e re e udhëheqjes femërore për të formuar një Revolucion të Katërt industrial më të barabartë.

Strategjia e krijimit të vendeve të punës për revolucionin e katërt industrial është një prej paneleve që po diskuton se si munden udhëheqësit të formojnë strategjinë e krijimit të vendeve të punës në Revolucionin e katërt industrial. Sipas raportit të Forumit për të Ardhmen e Punës, makinat dhe algoritmet në vendin e punës mund të çojnë në një rritje pozitive neto prej 58 milionë vendeve të punës.

Në një konferencë shtypi po diskutohet se si mund të shkojmë në konsumin më të qëndrueshëm. Sasia e hedhurinave plastike në deponi ose ndotja e mjedisit pritet të rritet në 12 miliard ton metrikë deri në vitin 2050, nëse trendet aktuale të prodhimit dhe konsumit vazhdojnë.

Forumi Ekonomik Botëror mbyllë punimet të premtën, dhe deri atëherë janë me dhjetëra panele që po diskutojnë çështje të rëndësishme në nivel global të organizuara nga organizata të rëndësishme botërore.

Në njërin prej paneleve të sotme u diskutua për sipërmarrjen, etikën e punës, dhe se si munden kompanitë dhe qeveritë të jenë mbështetës të sipërmarrësve të rinjë.

“Për të qenë të suksesshëm, ju duhet të bëni gabime. Dështimi është pjesë e angazhimit për të arritur synimet,” është shprehur HE Nadhmi Al Nasr, CEO i “Neom”.

Presidenti i “KAUST” shprehë besimin se “Sipërmarrja nuk ka të bëjë shumë me aftësitë, sa ka të bëjë me mentalitetin”.

“Pasioni ju udhëheq juve. Çfarë ju nevojitet juve të jeni, dhe çfarë ju përmbushë juve,” thotë Ann Rosenberg, Udhëheqëse Globale e “Sap Next Gen”.

Ky forum i përvitshëm mbledh në Davos rreth 3000 liderë shtetërorë, përfaqësues të bizneseve, të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, etj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme