Qindra fëmijë që ushqehen në kopshtet e kryeqytetit do të mund të helmoheshin nëse do të kishin ngrënë ushqimin që do tu shërbehej ditën e shtatë gushtit të këtij viti. Gjithë kjo për faktin se në ushqimin që ishte dedikuar për ta, ishin gjetur insekte. Por, se si arritën këto insekte në ushqimin e fëmijëve këtë nuk po e di saktë askush. Drejtori për Arsim, Jonuz Salihaj thotë se dyshojnë që ky problem ka ndodhur gjatë rrugës prej Kuzhinës Qendrore për në Kopsht. E ndonëse kanë kaluar rreth dy muaj, askush nuk është ndëshkuar për këtë rast, shkruan Gazeta Express.
Kanë kaluar më shumë se dy muaj që prej kur në ushqimin që ishte i dedikuar për kopshtet e fëmijëve në kryeqytet, ishin gjetur insekte. Por, as sot e kësaj dite nuk po dihet se i kujt ishte faji dhe se si insektet hynë në ushqim. Së paku kështu po deklarojnë.
Drejtori për Arsim në Prishtinë, Jonuz Salihaj i ka thënë Gazetës Express se ushqimi me insekte kishte arritur në vetëm tri prej kopshteve, ndonëse ishte i dedikuar për tetë prej tyre.
Salihaj thotë se janë duke e hulumtuar se si kanë ardhur insektet deri të ushqimi, derisa thotë se dyshojnë që ky problem ka ndodhur gjatë rrugës prej Kuzhinës Qendrore për në Kopsht.
“Jemi duke hulumtuar. Si duket ky problem ka ndodhur rrugës prej Kuzhinës Qendrore për në Kopsht, sepse analiza e mostrës e kryer menjëherë atë ditë, ka rezultuar që çdo gjë ka qenë në rregull. Por ky mbetet vetëm supozim”, ka thënë Salihaj për Express.
Por, edhe pse kanë kaluar rreth një muaj që prej se këto insekte ishin gjetur në ushqim, ende askush nuk është ndëshkuar.
Ai thotë se janë informuar dhe angazhuar të gjitha instancat për këtë rast, dhe se me rëndësi është që ushqimi nuk është shpërndarë dhe nuk ka pësuar asnjë fëmijë.
“Me rëndësi është që ushqimi nuk është shpërndarë dhe nuk ka pësuar asnjë fëmijë. Janë të informuar dhe të angazhuara të gjitha instancat”.
Ndërsa, kur është pyetur për emrin e kompanisë që bën transportin e ushqimit për kopshte, ka thënë se për këtë duhet që të merren informacione nga personeli i Kuzhinës Qendrore.
E fajtorin për këtë rast nuk po e dinë as në kopshtin për të cilin ishte i dedikuar ky ushqim.
Drejtoresha e Çerdhes “Fatosat”, Vlora Maliqi Abdullahu kishte thënë për Gazetën Express se ende nuk ka asgjë të re lidhur me këtë rast. Deklaronte se janë në pritje të raportit nga komuna.
“Jo, nuk ka asgjë të re në lidhje me këtë rast. Komuna pasi që ta marr raportin, do të na njoftoi me më të rejat”, kishte thënë drejtoresha e këtij kopshti për Express.
Për këtë rast, ishte deklaruar ditë më parë edhe zëdhënësi I Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri.
Tahiri kishte deklaruar se në njërin nga kazanët që furnizojnë çerdhet me ushqim ishin gjetur insekte.
Kishte thënë se e njëjta gjë kishte ndodhur në katër çerdhe, të cilat ishin furnizuar me ushqim nga e njëjta linjë.
“Në secilën çerdhe, është personi përgjegjës që e verifikon ushqimin para se të shërbehet. Me t’i parë insektet në atë kazan, ai e ka kthyer mbrapshtë ushqimin dhe nuk e ka shpërndarë tek fëmijët. Si rrjedhojë, tek të katër çerdhet që janë furnizuar nga e njëjta linjë, nuk është lejuar që të shpërndahet ushqimi i kohës së drekës”, kishte thënë Tahiri.
Edhe ai kishte mohuar që fajin për këtë rast e ka kuzhina qendrore.
“Kuzhina Qendrore është shumë cilësore, dhe insektet nuk janë nga aty. Po të ishte ndryshe, nuk do të kishim problem në vetëm një kazan, por në të gjithë ushqimin dhe në të gjitha çerdhet”, kishte deklaruar Tahiri.
Ndërkohë, për këtë rast kanë reaguar edhe shumë prindër, fëmijët e së cilëve shkojnë në këto çerdhe, të cilët kanë kërkuar të gjendet fajtori për këtë. /Gazeta Express/
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...
Cepeda: I nderuar ta prisja Osmanin në Senat
Atletico Madrid deklason Spartan e Rrahmanit dhe Krasniqit
Bayern – PSG, publikohen formacionet zyrtare