Google ADS

As reforma zgjedhore nuk bën bashkë partitë politike

08:20 | 16 Mars 2019
Arbresh.info

Në Kosovë ende mungon një reformë zgjedhore edhe pse një e tillë është tentuar që të bëhet, por asnjëherë nuk ka pasur një vullnet të përbashkët politik për këtë çështje. Aktualisht, këtë proces por edhe procese tjera kanë ngecur nga mosfunksionalizimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkak të mos dekretimit të anëtarëve të KQZ-së nga i pari i vendit presidenti, Hashim Thaçi.

E vetë presidenti Thaçi ishte nismëtari i procesit të Reformës Zgjedhore që tashmë në një farë mënyre është edhe duke e bllokuar atë. Ai gjatë vitit 2016 pati nisur takimet me partitë politike për reformën zgjedhore, por kjo nismë e tij mbeti pezull.

Në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, aktualisht nuk është duke u diskutuar kjo reformë për shkak të mosfunksionaliizmit të KQZ-së, thotë anëtari i këtij komisioni që vjen nga radhët e AAK-së Shkumbin Demaliaj.

“Mos funksionimi dhe bllokimi i KQZ-së për momentin nuk ka lejuar me ecë në asnjë proces me këtë institucion me tutje. Përderisa nuk është funksionale KQZ të gjitha këto bien poshtë. Për reformën duhet të bashkohen të gjitha partitë politike dhe të vendosin në çfarë forme po do me lëvizë”, ka thënë ai.

Procesi i krijimit të Reformës Zgjedhore kërkon bashkimin e të gjitha partive politike në vend, por nuk ka një vullnet të tillë.

“Ky është proces që duhet të gjitha partitë politike të bien në ujdi me trajtu një temë të tillë. Përderisa KQZ nuk është funksionale është telashe me fillu me diskutu”, ka thënë më tutje ai.

E kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu ka thënë se Lëvizja vetëvendosje aktualisht është kundër që të nisë diskutimi për reforma zgjedhore, sepse sipas saj koalicioni aktual nuk ka legjitimitet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Në  vitin 2011 siç e dini u patën krijuar dy komisione për të bërë reformën zgjedhor dhe ndryshimet që lidhen me zgjedhjen e Presidentit. Ne në vazhdimësi kemi thënë që qëllimi i këtyre ndryshimeve ka qenë zgjatja e jetës së asaj Qeverie dhe zgjedhja e Presidentit nga zarfi. Megjithatë ne kemi marrë pjesë në ato komisione dhe kemi dhënë qëndrime për secilën çështje por pastaj ato kanë ngecur sepse koalicioni i asaj kohe nuk e ka pasur seriozisht për reformën por për zgjatjen e jetës së vetvetes. Pra draftet patën ngecur për shkak mungesës së vullnetit, pastaj vendi pati shkuar në zgjedhje dhe sipas Rregullores së Punës, çështjet që nuk miratohen apo mbesin në procedurë kthehen në pikën zero. Në mandatin e kaluar nuk është punuar për këtë çështje. Ndërsa në këtë mandat, ne jemi kundër që të nisin reformat zgjedhore sepse koalicioni aktual nuk ka legjitimitet dhe vendi duhet te shkoj më zgjedhje. Qeveria e ardhshme dhe Kuvendi i ardhshëm, do të mund të punonin në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Ndërsa për këtë çështje kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka nuk ka pasur përgjigje.

“S’kom çka me fol. S’muj me thënë kurgjo s’jam unë qe vendosi për reformë, vendos Parlamenti”, ka thënë për arbresh.info kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kur është pyetur nëse është konsultuar ndonjëherë rreth kësaj teme.

Reforma zgjedhore paraqet një nga proceset me një rëndësi të veçantë, e cila është lënë në harresë nga spektri politik. Në fakt, pothuajse është shndërruar në traditë përmendja e kësaj teme vetëm para fillimit të cikleve zgjedhore dhe më pas harrohet./Arbresh.info/M.Avdimetaj/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme