Google ADS

As Këshilli i Sigurimit më nuk po i merr seriozisht kërkesat e Serbisë rreth Kosovës

08:09 | 9 Mars 2019
Arbresh.info

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të Amerikës duket se nuk po merr seriozisht kërkesat e Serbisë që kanë të bëjnë me Kosovës. Në mbledhjen e 8 marsit nuk u diskutua Platforma për Dialogun, kërkesë kjo e Serbisë, pas miratimit të këtij dokumenti në Kuvendin e Kosovës, e një temë e tillë nuk figuron as në agjendën e 11 marsit, shkruan arbresh.info.

Njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se nëse vazhdon ky shou i Serbisë në Këshill te Sigurimit, atëherë ky institucion e humb kredibilitetin e saj duke toleruar shtete kriminale të luajnë rolin e viktimës.

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, në një prononcim për arbresh.info, ka thënë se Këshilli i Sigurimit dhe Bashkimi Evropian kanë qasje jo parimore ndaj Kosovës.

“Sigurisht jo vetëm Këshilli i Sigurimit, por edhe Bashkimi Evropian po e përkëdhelin dhe favorizojnë dhe po e mbi tolerojnë Serbinë. Për çdo çështje që ka të bëjë, pa asnjë arsye, me Kosovën, vetëm që Serbia të bëjë obstruksionet, dhe të dezinformojë bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet e saj qoftë edhe Bashkimi Evropian. Kjo është e vërtet dhe e pa tolerueshme.  Ne edhe dje e kemi thënë në një takim lidhur çështjen e dialogut që po përpiqet të bëjë edhe Bashkimi Evropian edhe Serbia në formë të këtij dialogut me epilog që thjeshtë kanë qasje jo parimore dhe të padrejtë ndaj Kosovës madje edhe diskriminuese prandaj në qoftë se Këshilli i Sigurimit provokohet me këtë kërkesë pasi Serbia është anëtare kombeve te bashkuara”, deklaron Baraliu.

Sipas tij, vendimet që merren në një parlament janë sovrane, e që askush nuk ka drejtë t’i bëjë alarmuese.

“Madje kjo është vet referim i Serbisë në çështje të brendshme sepse vendimet që merren në një parlament janë sovran  dhe askush nuk ka të drejtë për çështje të brendshme t’i interpretojë dhe t’i bëjë çështjet alarmuese deri tek Këshilli i Sigurimit, kështu që është padrejtësi e madhe diçka që nuk do të duhej të tolerohen këto obduksione që po i benë ndaj Kosovës, Serbia”, thotë Baraliu.

Analisti politik, Faik Krasniqi, thotë se fatkeqësisht këto shtete perëndimore Serbinë po e përkëdhelin, edhe pse ajo ishte shkaktare e vrasjes së mbi 350 mijë boshnjakeve, shqiptarëve dhe kroatëve.

“Serbia është e përkëdhelura jo vetëm e Këshillit të Sigurimit, por edhe e BE-së dhe shumë vendeve perëndimore. E vendeve demokratike, e qe në thelb demokracia nuk toleron shtete që ushtrojnë dhunë, masakra dhe gjenocid ndaj popujve të tjerë. Por, fatkeqësisht këto shtete perëndimore Serbinë e shndërruan në fëmijën e tyre të përkëdhelur, edhe pse ajo ishte shkaktare e vrasjes se mbi 350 mijë boshnjakeve, shqiptareve dhe kroateve. Agresori të përkëdhelet, kurse viktima të diskriminohet. Nëse vazhdon ky shou i Serbisë në Këshill te Sigurimit, atëherë ky Këshill e humb kredibilitetin e saj duke toleruar shtete kriminale te luajnë rolin e viktimës. Edhe ashtu ky Këshill gjithmonë ka qenë i tillë, ku fjalën kryesore e kanë pasur diktatoret më të mëdhenj. Fjalimet e gjata e të kota të cubave dhe diktatoreve”, shprehet Krasniqi për arbresh.info.

Analisti, Faton Mehmeti, vlerëson se ndikimi i Serbisë në Këshillin e Sigurimit depërton përmes ndikimit rus dhe kinez, por që Kosova duhet të tregohet e matur në qëndrimet e saja.

 “Ndikimi i Serbisë në Këshillin e Sigurimit depërton përmes ndikimit rus dhe kinez, këto dy të fundit janë aleate tradicionale të Serbisë. Dhe ketë gjë po e shfrytëzon në maksimum Serbia, e cila për çdo lëvize të Kosovës po thërret mbledhje të tilla. Kjo nuk besoj se i bën nder edhe vet Këshillit të Sigurimit, i cili po humbet seriozitetin e saj duke u shndërruar në pale në procesin mes Kosovës dhe Serbisë. Besoj se edhe Kosova duhet të tregohet i paanshëm, dhe terë procesin e bisedimeve ta delegoj te BE, e cila ka marrur patronatin për t’i udhëhequr këto bisedime. Platforma e krijuar ngjall më tepër pluhur se sa në të vërtetë ka peshë, pasi kjo Platformë është e paqëndrueshme derisa nuk ka Ligj për Bisedime. Gjithsesi Kosova duhet të tregohet  e matur dhe unike ne qëndrimet e saja, duke e vënë Serbinë në pozite të palakueshme sa i përket rolit dhe ndikimit te saj”, shprehet Mehmeti për arbresh.info.

Kuvendi i Kosovës, të enjten, ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për dialogun, duke i hapë rrugë edhe miratimit të Platformës për Dialogun.

Duke komentuar këtë platformë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një debat me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, pati deklaruar se pala kosovare po kërkon të gjitha. /A.Zeka/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme