Google ADS

Arrestohet avokati që raportoi rastin e 16 vjeçares nga Drenasi

18:07 | 27 Shkurt 2019
Arbresh.info

Është arrestuar avokati i cili raportoi rastin e abuzimit seksual të 16 vjeçares nga Drenasi, Gazmend Halilaj.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin se, sot, më 27.02.2019, me urdhër të prokurorit, është ndaluar edhe personi i katërt me inicialet G.H., lidhur me rastin e të dëmtuarës, A.G., nga Drenasi. Prokuroria do të mbajë të informuar opinionin për veprimet e mëtutjeshme lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërsa arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë vazhduar të ndërmarrin veprime tjera hetimore lidhur me rastin e Drenasit në konsultim të drejtpërdrejtë me Prokurorinë e Shtetit. Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore sot (27.02.2019) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së arrestuan të dyshuarin e katërt në këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

“I dyshuari me inicialet G.H u arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”- neni 422, “keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin”- neni 239 dhe veprës penale “frikësim gjatë procedurës penale” nga neni 395 i Kodit Penale të Kosovës”, vazhdon njoftimi.

IPK’ja bën të ditur se bazuar në aktvendimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës të dyshuarit G.H i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave tjera sipas Kodit të Procedurës Penale.

Javën e kaluar avokati Gazmend Halilaj ishte ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë  lidhur me rastin e të miturës në Drenas./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme