Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se pret që nga institucionet e Kosovës të largohen të gjithë ata zyrtarë që kanë aktakuzë, dhe këtu të mos jenë vetëm ministrat, por edhe drejtor agjencish e pozita tjera të larta.
Duke thënë se ka mirëpritur vendimin e PDK-së për të larguar nga pozitat e larta njerëzit e kësaj partie të cilët janë me aktakuza, Apostolova në Interaktiv të KTV-së ka thënë se duan që “në Kosovë të shihen njerëz në pozita të larta që janë në nivel të përgjegjësisë për pozitat e tyre”.
Megjithatë, pos PDK-së, ajo ka shtuar se pret që të njëjtin veprim ta bëjnë edhe të tjerët.
“Por, këtu, dua të them që ky është vetëm fillimi, është maja e ajsbergut, sepse kemi parë largime të vetëm disa personave. Por, siç e dimë, ne e ju, ka edhe shumë të tjerë dhe shpresoj që udhëheqësia e PDK-së s’do të aplikojë qasje të fragmentuar, por se vërtetë do t’i largojnë të gjithë njerëzit që kanë fituar pozita, jo në baza meritore dhe të cilët janë emëruar me nepotizëm. Gjithashtu, shpresoj se edhe partitë e tjera politike do të veprojnë pas këtij hapi tejet pozitiv”, ka thënë ajo.
Kur është pyetur se a i bën thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj dhe të tjerëve në koalicion të rishikojnë njerëzit e tyre, ajo është përgjigjur se “kjo është pikërisht deklarata që duam të japim”.
“Dua vetëm të shtoj se nuk jemi duke e shikuar vetëm nivelin ministror. Ne po i shikojmë të gjitha pozitat e larta që bartin përgjegjësi shumë të larta. Udhëheqës agjencish, për shembull. E dini se unë e kam ngritur zërin ndaj një personi, një emërimi, që ka ndodhur para pak kohësh”, ka shtuar ajo duke folur për shefin e Agjencisë së Pronave.
Sa i përket emërimit si zyrtarë të të dënuarve për krime lufte, Apostolova ka thënë se në thirrjen e tyre që të mos ketë të dënuar apo të akuzuar përfshihen të gjitha pozitat.
Apostolova ka shtuar se këto çështje i kanë ngritur shumë kohë më parë teksa ka shtuar që më në fund u dëgjua zëri i ndërkombëtarëve. Ka shtuar se kjo po bëhet ndoshta sepse partitë, në kohë zgjedhjeve të brendshme, po duan të tregojnë fytyrë të re.
Ajo ka shtuar se nuk mund të kundërshtojnë procesin e vetingut nëse për këtë vendosin institucionet e Kosovës. Sipas saj, këtu duhet të ketë shumë kujdes.
Ironike e ka quajtur emërimin e udhëheqësit të Zyrës Ligjore të ministrisë së Inovacionit, Lulzim Kadriu, që më parë ishte dënuar për korrupsion.
“Mendoj që të gjitha këto poste të cilat tani, përmes reformës së re të administratës publike, duhet të shkojnë në procedura të caktuara të përzgjedhjes, të gjitha duhet shikuar me kujdes. E dini mbase se është një projekt britanik që mbështet këtë procedurë të përzgjedhjes dhe dëshirojmë që ky proces të jetë sa më transparent, sepse edhe zgjidhen njerëzit e mirë, ajo që duhet është që popullata ta rikthejë besimin mbi qeverisjen në Kosovë. Momentalisht shohim një mungesë të kësaj besueshmërie dhe kjo nuk është rastësi. Prandaj, do të thosha që do të ishte mirë që të gjitha këto pozita, jo vetëm të ministrave apo zëvendësministrave, të rishikohen të gjitha pozitat e larta”, ka shtuar ajo.
Atentati në Vlorë, i plagosuri në gjendje të rëndë shëndetës...
Modric hynë në histori të Real Madridit, bëhet lojtari më i ...
HRW: Kufizimi i ujit në Gaza nga Izraeli përbën një akt gjen...
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama ndan fotot: U mbështet p...
Izraeli konfirmon sulmet në portet dhe infrastrukturën energ...
LDK sot mban Forumin e Rinisë