Google ADS

Apostolova: BE-ja dëshiron ta ndihmojë Kosovën në reformën në arsim

16:58 | 10 Prill 2019
Arbresh.info

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka mbajtur ngjarjen vjetore “Activate Talks” e cila mblodhi më shumë se 400 të rinj nga e gjithë Kosova, ekspertë, përfaqësues të institucioneve dhe inovatorë të rinj, për të diskutuar dhe treguar përvojat e tyre në ndryshimin e shoqërisë për të mirë.
Murat Sahin, shef i zyrës së UNICEF it në Kosovë, tha se e rëndësishme është të ngritët niveli i arsimit në Kosovë.

“Të rinjtë mund të shtyjnë zhvillimin ekonomik. E dimë që në Kosovë lindshmëria e fëmijëve është 5 për qind. Nga 5 prej tyre vetëm një prej tyre shkon në shkollim parafillor. Nëse shohim cilësinë e arsimit ata mësojnë vetëm 7.7 vjet kështu që është një boshllëk i mësimit. Aftësitë e shek XXI janë vendimtare për të ardhmen dhe shkollat duhet të vazhdojnë të ofrojnë aftësi akademike”, tha ai.

Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se BE-ja dëshiron të ndihmojë Kosovën sidomos për reformën në arsim. Ajo tha se ka edhe elemente të tjera që e bëjnë Kosovën të qëndrueshme.

“BE-ja dëshiron t’iu ndihmojë ju të rinjve për të parë një të ardhme ndryshe në Kosovë. Ju siguroj se do t’iu ndihmojmë. Po koncentrohemi në reformat në arsim. Në Kosovë është vendimtare t’iu shohim konkurrues me vendet e tjera sepse ju së shpejti do jeni në BE dhe duhet të jeni konkurrues edhe me vendet e BE-së. BE-ja është një mik i Kosovës dhe gjithnjë do jetë e tillë sepse Kosova është Evropë. Arsimi do jetë parësor sepse jeni popullatë e re. Prioritet tjetër është mbizotërimi i sundimit të ligjit për të cilën na duhet ndihma juaj”, tha Apostolova.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfondler, po ashtu theksoi rëndësinë e arsimit si prioritet në Kosovë.

“Arsimi është një nga prioritetet më të mëdha të zhvillimit apo bashkëpunimit në Kosovë. Ne e kemi përzgjedhur qëllimisht këtë sepse e mendojmë se popullata e re në Kosovë meriton arsimimin më të mirë dhe nuk kemi aq shumë buxhet megjithatë bëjmë përmirësimin e arsimimit të të rinjve që tu japim mundësi që të zhvillojnë vendin e tyre”, tha ai.

Burbuqe Deva, zv. ministre e MKRS-së tha se ministria është duke përpiluar draft strategjinë për rininë me shpresën se do tu vijë në ndihmë.

“MKRS bazohet në dokumente strategjike ku kemi pasë një strategji, por kemi pa që nuk përmbushë të gjitha kërkesat e rinisë. Andaj MKRS ka vendosë të përpilojë draft strategjinë për rininë. Rinia jonë është rini evropiane dhe duhet të kenë përparësi si në vendet evropiane. Kjo strategji ka tri objektiva, e para është mobilizimi i të rinjve, ofrimin e shkathtësive, përgatitja e të rinjve dhe e treta është mjedisi i shëndetshëm për të rinjtë”, tha ajo, raporton EO.

Festina Veselaj, vullnetare prezantoi një nga projektet e krijuara.

“Projekti “T’mijat” ka për qëllim që përmes një faqeje personat me nevoja të veçanta të mos kalojnë atë që kam kaluar unë. Me anë të ueb faqes t’i mundësojë fëmijëve dhe prindërve të raportojnë ngacmimet ndaj fëmijëve sidomos ndaj atyre me nevoja të veçanta. Shoqëria duhet ta ketë në mendje se askush nuk lind perfekt dhe se të gjithë jemi të bukur në mënyrën tonë”, tha ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme