Google ADS

Apeli i Limajt, drejtuar partive politike: Kujdes me premtimet, të mos i zhgënjejmë qytetarët

12:17 | 4 Shtator 2019
V. S.

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj, iu ka bërë thirrje liderëve të partive politike që të mos bëjnë premtime të pambuluara në kërkim të një vote me tepër, sepse kështu po rrisin pritjet e qytetarëve.

Kreu i Nismës ka thënë se forcat politike në Kosovë duhet të jenë të kujdesshme dhe të mos e humbin racionalitetin para njerëzve në këtë muaj duke premtuar gjëra që nuk arrihen.

“Duhet jemi të kujdesshëm çka po premtojmë. Sepse mbi bazën e premtimeve qytetarët e Kosovës po i ngritin pritjet dhe tani në pamundësi për t’i realizuar ato premtime, zhgënjimi është i madh.  Duhet jemi të kujdesshëm çka po premtojmë. Prej temave për zhvillim ekonomik, reformat në drejtësi, e deri të liberalizimi vizave”, ka thënë Limaj për Kosovapress.

Më tutje, lideri i Nismës ka thënë se një parti ose një koalicion që fiton zgjedhjet me premtime të pambuluara, ajo qeverisje është e destinuar të dështoje sepse bëhen viktime e premtimeve të saja.

“Është koha momenti i fundit, vendi ynë është në një gjendje kritike në një udhëkryq dhe nuk ia vlen me marrë një votë me tepër, nëse thoni diçka të parealizueshme. Është momenti me qenë racional të gjithë. Lërini njerëzit të votojnë lirshëm sipas bindjeve të tyre pa premtime të pambuluara.”, ka shtuar Limaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme