Anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ndër tjerash i ka bërë thirrje diasporës që të votojnë në zgjedhjet e tetorit në Kosovë.
Kështu, ai ka kërkuar nga komuniteti shqiptar jo vetëm në Nju Jork, që të marrin pjesë në këtë proces, duke votuar përmes postës.
Ai gjithashtu ka folur edhe për prioritetet që duhet të ketë qeveria e re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.
Anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut dhe aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Mark Gjonaj, i kërkon qeverisë së re të përqendrohet tek mirëqenia e qytetarëve.
Zoti Gjonaj foli edhe për tarifën prej 100 për qind që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe. Ai tha se Serbia e përdori këtë si justifikim për t’u larguar nga tryeza e bisedimeve.
Ai është pyetur dhe mbi qëndrimin që qeveria e re duhet të ketë karshi tarifës ndaj mallrave serbe.
Sipas tij, tarifa nuk është shkaktari i vërtetë i pezullimit të bisedimeve mes dy vendeve.
“Nuk ishte Kosova ajo që i ndali bisedimet. Kosova gjithmonë ka qenë në tryezë, Serbia është larguar nga ajo në mes të procesit. Tarifa është e parëndësishme dhe ka shumë pak ndikim në mirëqenien ekonomike në Serbi. U shfrytëzua si justifikim për t’u larguar. Serbia duhet të qëndrojë në atë tryezë në mënyrë që të adresohen çështjet e vërteta. Pavarësia e Kosovës nuk është fituar. Është paguar për të. Është paguar me gjak dhe dekada të tëra diskriminimi”, tha zoti Gjonaj.
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut tha se lojëra si këto nga ana e Serbisë, po zbehin arritjet e Kosovës.
“Kosova vazhdon të vuajë ndërsa po mundohet të ndërtojë vendin, ndërsa Serbia vazhdon të manipulojë negociatat duke nënvlerësuar ato që kemi arritur”.
Zoti Gjonaj foli dhe rreth angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut, sidomos pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, emëroi zëvendës ndihmësin e tij Matthew Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
“Emërimi i zotit Palmer është i rëndësishëm, derisa ai sigurohet që të dyja palët të qëndrojnë në tryezën e bisedimeve. Kemi një partner të vërtetë si SHBA-të që po sigurohen se ndërmjetësimi po ecën mirë. Do të arrijmë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Por i them sërish Departamentit amerikan të Shtetit, zotit Palmer dhe komunitetit ndërkombëtar, Kosova e ka paguar çmimin e saj. Tani është koha për Serbinë të bëjë pjesën e vet. Dhe kjo nis me kërkim falje për krimet e luftës, diskriminimin dhe gjenocidin e bërë. Pas kësaj mund të ecet përpara. Kanë kaluar vetëm 20 vite. Njerëzit vazhdojnë të jetojnë me mizoritë që janë kryer. Flenë e zgjohen me dhimbje e vuajtje për humbjen e më të dashurve të tyre”, tha zoti Gjonaj.
Aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar në Amerikë tha se Serbia duhet të mësojë nga një shembull i dhënë së fundi në Evropë.
“Ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje. Nuk ka shembull më të mirë, sesa ai i dhënë së fundmi nga Presidenti gjerman Steinmeir, i cili i kërkoi falje Polonisë dhe Evropës, rreth 80 vite pas Luftës së Dytë Botërore, për krimet që ishin bërë nga gjermanët. Është koha që Serbia të pranojë e të kërkojë falje për urrejtjen dhe dëmet, diskriminimin dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve për dekada të tëra në Kosovë. Ky do të ishte fillim i mirë për negociata”, shtoi zoti Gjonaj.
Ndër të tjera, zoti Gjonaj tha se Kosova nuk ka partner më të madh se SHBA-të sikurse Shtetet e Bashkuara nuk kanë miq më të mëdhenj se shqiptarët, miqësi kjo që ka nisur dekada më parë.
Vizita e fundit e senatorëve amerikan, Chris Murphy dhe Ron Johnson, sipas tij është dëshmi e vazhdimit të angazhimit të SHBA-së për çështjen e Kosovës.
Pamje nga një lum në Gjilan, Aliu thotë se po pastrohet e po...
Maqedonci dhe Komandanti i FSK-së vizituan ushtrimin fushor ...
Ish-eprori i UÇK-së, Xhevahir Geci i bashkohet PDK-së, do të...
Hoxha: Raportit nëntëmujor i Policisë së Kosovës njofton ulj...
Instruktorët turq trajnojnë ushtarët e FSK-së
Spanjë: 78 persona ende të zhdukur nga vërshimet