Në Beograd dhe në Prishtinë sërrish flitet se viti 2019 do të jetë viti vendimtar për Kosovën. Por kështu është thënë edhe në vitin e kaluar. Çfarë thonë analistët në Serbi?
Për vitin e kaluar (2018) është thënë shpesh se do të jetë “vit vendimtar”, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe për arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit. Shumë qarqe ndërkombëtare kanë kërkuar që marrëveshja të nënshkruhet deri në fund të vitit 2018. Por gjërat kanë shkuar në drejtim të kundërt.
Pas vendimeve të fundit të qeverisë së Kosovës, zgjidhja duket më larg se kurrë më parë. Futja e doganave prej 100 % për prodhimet serbe, formimi i ushtrisë së Kosovës dhe hapja e kufirit me Shqipërinë e kanë ndaluar praktikisht dialogun me Serbinë. Kur thuhet se viti 2019 do të jetë vit “vendimtar”, kjo tingëllon si në fillim të 2018-ës.
Pritjet në qarqet ndërkombëtare dhe në Prishtinë janë megjithatë të mëdha. Presidenti Hashim Thaçi thotë se viti 2019 do të jetë viti i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Por autoritetet serbe dhe presidenti Aleksandar Vuçiq janë të mendimit se për marrëveshje kërkohet kompromis, e ky kompromis është ende shumë larg. Vuçiq thotë se nuk do të pranohen kushtëzime që çështja të zgjidhet brenda disa muajsh apo javësh.
Optimizmi i pabazë?
Profesori i Fakultetit të Shkencave Poltike, Ivo Viskoviq thotë se pritjet janë të mëdha, për shkak të dështimeve gjatë vitit të kaluar. “Të gjithë presin që ky problem të zgjidhet, por mendoj se kriza është aq e thellë, sa që nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje e shpejtë. Kërkohet ndonjë hap i guximshëm, pavarësisht pasojave personale. Por presionet në Serbi dhe Kosovë ndaj politikanëve janë shumë të mëdha”, thotë Viskoviq për DW.
Edhe analisti Dragomir Angjelkoviq mendon se ky nuk do të jetë vit “vendimtar”. “Në Prishtinë nuk shoh ndonjë gatishmëri të posaçme për kompromis. Nga ana tjetër, në këtë moment nuk ekziston ndonjë raport mes fuqive të mëdha, i cili do t’i shkonte në favor zgjidhjes përfundimtare dhe arritjes së marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinë”, thotë Angjelkoviq për DW.
Humbja e durimit
Por nuk është e rastësishme që krijohet bindje për arritjen e ndonjë zgjidhjeje. Angjelkoviqi mendon se këto pritje janë krijuar nga disa qarqe perëndimore. “Autoritetet serbe nuk duan të kundërshtojnë këto pritje të mëdha. Kjo nuk është gabim, sepse duhet të tregohemi racional dhe të tregojmë qëllime të mira. Por duhet të kundërshtojmë të gjitha gjërat që nënkuptojnë kapitulimin e Serbisë”, pohon ai.
Ivo Viskoviq sheh edhe një lloj humbjeje të durimit tek disa qarqe. Zgjidhjet e shpejta kërkohen, sepse disa qarqe po e humbasin durimin. “Kjo është një çështje shumë serioze për palën shqiptare dhe serbe që kërkon zgjidhje. Por kam frikë se zgjidhja e shpejtë nuk mund të arrihet për shkak të gjendjes së komplikuar dhe mentalitetit të të dyja palëve.”
Viskoviq mendon se këtë proces po përpiqen ta përshpejtojnë disa qarqe perëndimore. Ato mendojnë se gjërat mund të zgjidhen shpejt, por kjo nuk është e vërtetë, sepse për arritjen e marrëveshjes mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore janë dashur plot 22 vjet. “Ndaj nuk është reale që raportet mes Serbisë dhe Kosovës të zgjidhen për 22 muaj.”
Planet dhe pritjet
Gjatë vitit të kaluar është folur shpesh për “përkufizime” dhe “korrigjimin e kufijve”, që e kanë përmendur presidentët Thaçi dhe Vuçiq. Opinioni serb nuk e ka kuptuar kurrë se cili është plani i Vuçiqit, nëse ka një plan konkret. Ideja për ndryshimin e kufijve ka dalë në plan të dytë, për shkak të kundërshtimeve të shumta. Edhe në Kosovë është kundërshtuar fuqimisht kjo ide e presidentit Thaçi. Ndërkohë që idenë e kanë kundërshtuar hapur edhe disa qarqe perëndimore.
Është krijuar një bindje se palët kundërshtare janë fuqimisht në pozicionet e tyre pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, gjë që edhe më shumë vështirëson marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit. Dragomir Angjelkoviq mendon se Serbia ka plane të gatshme për ndarjen e Kosovës. Por nuk do të dalë publikisht me këto ide, për sa kohë nuk është e sigurt që ato do të pranohen.
Edhe Ivo Viskoviq mendon se ekzistojnë disa plane për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Mendoj se duhet të ketë një zgjidhje specifike dhe kreative, e cila vështirë se mund të bazohet tek ndonjë zgjidhje tjetër në botë.”
Kosova dhe Serbia janë satelitë?
Kosova po përpiqet që ta prezantojë Serbinë si “një Rusi të vogël në Ballkan”. Kjo ka dhënë rezultate tek disa vende, sepse raportet mes Perëndimit dhe Rusisë nuk kanë qenë kaherë më të tensionuara. Por bashkëbiseduesit e DW thonë, se “Serbia është shumë larg të qenit Rusi e vogël – parë nga pozicioni dhe kapacitetet e saj”. “Haradinaj po përpiqet ta paraqesë Kosovën si një kundërshtar të Rusisë në Ballkan, por mendoj se kjo nuk do të ketë efekte të rëndësishme ndërkombëtare”, mendon Angjelkoviq.
Në anën tjetër, Kosova e prezanton veten si aleat të Amerikës. “Kur nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër, Serbia gjithmonë i kthehet mbështetjes ruse. Por mendoj se mbështetja e Rusisë dhe Amerikës nuk do të jetë vendimtare për këtë proces. Vendimtare do të jenë opinionet në Kosovë dhe Serbi. Asnjëra palë nuk mund të dalë si fituese, ndërsa pala tjetër humbëse. Këtë e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë opinionet në këto vende.”/DW/
Zelensky: Dy civilë u vranë në Sumy nga një sulm rus
Muja: Opozita bën propagandë ndaj Qeverisë Kurti për kontrat...
Netanyahu i kërkon kabinetit të tij ta pranojë marrëveshjen ...
Abdixhiku falënderon qytetarët për mbështetjen: Prezenca jua...
Atletico bindëse pas pjesës së parë, Milani në baraspeshë
Sinani i bashkohet thirrjes së Kamberit për vendosjen e flam...