Analistët e quajnë “aventurë” idenë e Thaçit për bashkim me Shqipërinë

08:08 | 1 Qershor 2019
Arbresh.info

Ideja e bashkimit kombëtar në ketë fazë, është në kundërshtim të plotë me interesin kombëtar shqiptar vlerësojnë analistët, derisa komentojnë mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas tyre, interes i Bashkimit Evropian është të anëtarësohen edhe Kosova edhe Shqipëria si dy shtete dhe të konsiderohet e zgjidhur çështja shqiptare dhe çështjet e tjera kombëtare në Evropën e bashkuar, e pa kufij.

Analisti politik Leon Duhanaj vlerëson se nuk do të ketë bashkim kombëtar, nëse për atë rrezikohet ndarja e territorit shqiptarë.

“Ideja e bashkimit kombëtar në ketë fazë, është në kundërshtim të plotë me interesin kombëtar shqiptar. Kjo çfarë po bën presidenti Thaçi, është një aventurë e çmendurisë së tij. Ai e din mirë se nuk ka gjasa të ndodhë  pos nëse ndryshohen kufijtë në rajon. Edhe atëherë do të ndodhen jo në favorin tonë sepse nuk jemi ende të konsoliduar si komb. Nuk ka bashkim kombëtar, nëse për atë rrezikohet ndarja e territorit shqiptarë. Ketë ide e ka përfaqësuar edhe Albin Kurti për një kohë për qëllime të manipulimit politik e elektoral. Ndërsa z.  Thaçi e bën këtë sepse duke qenë se ka hy në aventura të ndarjes së Kosovës, tani mundohet ta kamuflojë situatën duke e shtyrë të njëjtën ide më tutje”.

Sipas Duhanaj kjo se çfarë po ndodh nuk është si mungesë e informimit apo e pamundësive, por thotë se  është sabotim i interesit kombëtar për interesa të huaja.

“Kjo formë e politikbërjes, është në përputhje të plotë me planet ogurzeza serbe nga të cilat Kosova do të pushonte se ekzistuari si shtet dhe do të ndahej mes Serbisë dhe Shqipërisë. Hashim Thaçi përpos ndarjes ka mundësi ta ketë negociuar edhe ndonjë asociacion në pjesën e mbetur të Kosovës për minoritetin serb dhe kjo do t’i lente Kosovës edhe më shumë probleme të brendshme. Prandaj duke qenë se ka shkuar shumë larg, mundohet me çdo kusht ta shpëtojë vetën nga kërcënimet në kurriz të interesit kombëtarë.  Shqiptarët duhet të këndellën njëherë e mirë dhe të jenë unik në çështjet me interes kombëtar. Për ndryshe përgjegjësia do të bie mbi të gjithë. Kjo çfarë po na ndodh nuk është më si mungesë e informimit apo e pamundësive. Por, është sabotim i interesit kombëtarë për interesa të huaja. Sabotim po bëjnë edhe ata që po punojnë keq edhe ata që po lejojnë të ndodhë kjo, duke u treguar indiferent”, është shprehur ai.

Edhe analisti politik, Ramush Tahiri, tha se presidenti Thaçi po kërkon alternativë për popullin e tij.

Sipas tij shqiptarët si popull nuk mund të presin e të vendnumërojnë, por duhet të integrohen dhe të bashkëpunojnë.

“Qytetarët e Kosovës nënçmohen në rreshtat e gjatë përpara ambasadave të huaja, paguajnë dhe presin për të marr një vizë për udhëtim, shkollim apo me vizitu familjarët, duke ditur se një e treta e qytetarëve të Kosovës mëse gjysmë shekulli jetojnë e punojnë dhe janë shumë mirë të integruar në Gjermani, në Zvicër, Francë apo cilindo shtet tjetër të BE. Pra, çështja e procesit të Kosovës në rrugën evropiane më nuk është proces teknik i plotësimit të kritereve por është proces politik, fatkeqësisht një qëndrim racist e refuzues dhe antihistorik. E kuptoj presidentin Thaçi që kërkon alternativë për popullin e tij se si tha dje një zyrtar i SHBA-ve politikani i përgjegjshëm duhet të ketë guxim, përkushtim dhe vizion. Tash shqiptarët si popull nuk mund të presin e të vendnumërojnë, por duhet të integrohen dhe të bashkëpunojnë”.

Tutje thotë se Evropa duhet të marrë mësim nga të këqijat që ju bënë popullit shqiptar së paku nga Luftërat Ballkanike e deri sot.

“Të qenurit shqiptar është fakt, është krenari dhe nuk është rrezik që duhet fshehur. Shqiptarët janë komb që zhvillohen dhe përparojnë që i japin dhe marrin nga kultura dhe politika evropiane. Bashkimi Evropian edhe mund të shpërbehet duke e ndjekur shembullin e Britanisë ama shqiptarët ishin e do të jenë në këto troje duke e pasur të ardhmen e tyre në favor të paqes dhe stabilitetit dhe në bashkëpunim me shtetet dhe kombet e tjera. Pra, jo të nënshtruar, por të barabartë. Evropa duhet të marrë mësim nga të këqijat që ju bënë popullit shqiptar së paku nga Luftërat Ballkanike e deri sot. Këto nuk munden ta thyejnë ndjenjën kombëtare shqiptare. Interes i BE është të anëtarësohen edhe Kosova edhe Shqipëria si shtete dhe të konsiderohet e zgjidhur  çështja shqiptare dhe  çështjet e tjera kombëtar në Evropën e bashkuar e pa kufij”, deklaroi ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpeshtuar deklarimet se nëse Bashkimi Evropian vazhdon izolimin e Kosovës do të shqyrtohet mundësia për veprime institucionale apo referendume për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. /A.Zeka/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme