Google ADS

Ambasadori turk: Turqia vazhdon ta përkrah FSK-në

15:51 | 1 Mars 2019
Trina Galanxhi

Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur sot në një takim njohje, ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Me këtë rast, ministri Berisha fillimisht i uroi detyrën ambasadorit Sakar, si dhe e njoftoi atë me procesin e tranzicionit të FSK-së, dhe punën e madhe për ngritjen e kapaciteteve, të parapara me planin e tranzicionit.

“Votimi unanim i Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, nga ana e Kuvendit të Kosovës, ka qenë një ngjarje historike për Kosovën dhe FSK-në. Ky votim ka treguar edhe njëherë për besimin e madh që ka Ushtria e Kosovës, tek të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim nacionaliteti dhe etnie”, ka thënë ministri Berisha.

“Jemi të përkushtuar në realizimin e misionit si forcë multietnike dhe profesionale, që do të jetë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës”, ka thënë Berisha.

Ministri Berisha gjithashtu e ka falënderuar ambasadorin Sakar për ndihmën e dhënë në vazhdimësi dhe në të gjitha etapat nga ana e Turqisë për Kosovën.

“Përkrahja e shtetit turk për Kosovën në përgjithësi, dhe në veçanti për FSK-në, është shumë i rëndësishëm, dhe unë ju falënderoj për përkrahjen e deritanishme duke besuar se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe më tej, nga ana e Turqisë”, ka deklaruar Berisha.

Ndërsa ambasadori i Turqisë, Çagri Sakar, pasi ka uruar ministrin Berisha për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së, ia përcjelli edhe një letër urimi për miratimin e ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, nga Ministri i Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.

“Turqia do të vazhdojë me përkrahjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si me përkrahje financiare për ushtrinë, ashtu edhe me programet për shkollimin dhe trajnimin e oficerëve dhe ushtarëve të FSK-së, në akademitë ushtarake turke”, ka thënë ambasadori Sakar.

Ai gjithashtu ka njoftuar se ministri i Mbrojtjes së Turqisë së shpejti do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës./epokaere/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme