Ambasadori i Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari ka reaguar sot ndaj deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me ambasadorët e Kosovës
Kiçmari në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se personalisht nuk ka kërkuar asnjë herë instruksione nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as nga Kryeministri për dhjetë vite të shërbimit të tij si ambasador, mbi pesë vite në Austri dhe afër pesë vite në Australi.
Lexoni të plotë reagimin e ambasadorit Kiçmari:
“Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj në Konferencën e Pestë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, të enjten më 6. Shtator 2018 në Prishtinë, shpërfaqi arrogancë dhe padituri kur deklaroi ‘Përpos që ankoheni se ne nuk po iu dërgojmë instruksione, e që mendoj se nuk keni të drejtë. Mendoj se është i pazoti ai ambasador ose ai diplomat që thotë se nuk po na dërgon Prishtina instruksione. Unë mendoj se ai është një qyqan ose qyqane. E pse po e them për këtë, sepse mediat e sotme, teknologjia e ka mundësuar që ju mund ta shihni takimin e Qeverisë direkt, ju mund t’i përcillni 20 tema të takimit të Qeverisë. Është marre me thënë se nuk po dërgon Prishtina instruksion, si nuk ju vjen marre, e keni takimin e Qeverisë direkt…Unë i shoh ambasadorët e vendeve tjera që janë këtu, sa të interesuar janë për proceset e këtij vendi, sa shumë mësojnë e sa shumë dinë, sa janë të zotë me i ndihmua vendet e veta. Edhe ju bëjeni të njëjtën, interesohuni për vendin tuaj, përcillni proceset, përcillni temat. Ju siguroj se keni mjaftë për me e paraqitë Kosovën tek këto vende’
Në mbrojtje të dinjitetit tim profesional shfaqë indinjatën time publike ndaj deklaratës mosmirënjohëse të kryeministrit të Republikës së Kosovës. Dëshiroj të bëjë me dije se personalisht nuk kam kërkuar asnjë herë instruksione nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as nga Kryeministri për dhjetë vite të shërbimit tim si ambasador (mbi pesë vite në Austri dhe afër pesë vite në Australi). Por, në deklaratën e mësipërme të Kryeministrit Haradinaj shpërfaqet padituria e tij për detyrat e ambasadorëve dhe sidomos për mënyrën se si informohen dhe informojnë ata.
Edhe pse personalisht nuk kam pasur nevojë të kërkoj instruksione, është krejt e natyrshme dhe e preferueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të pajisë me udhëzime të rregullta dhe specifike ambasadorët e Republikës së Kosovës, madje në mënyrë të koduar, ashtu siç bëjnë shtetet e tjera me traditë demokratike. Mbledhjet e Qeverisë janë të rëndësishme për informimin e ambasadorëve, por janë krejtësisht të pamjaftueshme. Reduktimi i marrjes së informacionit vetëm nga mbledhjet e Qeverisë dëshmon se Kryeministri nuk i ka të njohura ende mjaftueshëm detyrat e diplomacisë.
Dua ta informoj kryeministrin se në rrafshin teorik dhe praktik ambasadorët i kryejnë pesë funksione kryesore: Përfaqësojnë Republikën, negociojnë në emër të Republikës, vëzhgojnë dhe informojnë në lidhje me zhvillimet në vendin pranues, i mbrojnë interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe punojnë në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Nga misionet që unë kam udhëhequr për rreth dhjetë vite janë dërguar mijëra raporte, kabllograme dhe analiza te Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm. Janë dhjetëra marrëveshje bilaterale dhe njohje të Republikës së Kosovës që kanë rezultuar nga puna e misioneve që kam udhëhequr. Kontinenti Australian është i vetmi, në të cilin është përmbyllur procesi i njohjes së Republikës së Kosovës dhe nga ky kontinent ka pasur një mbështetje unanime pro pranimit të Republikës sonë në UNESCO në vitin 2015. E di se angazhime identike kanë pasur edhe shumë nga kolegët e mi, të akredituar në vende të tjera.
Edhe krahasimi që bënë z. Haradinaj me diplomatët e vendeve tjera është i padrejtë dhe i pasaktë. Ashtu siç ai i sheh diplomatët e huaj, sa dinë për Kosovën, dimë edhe ne, diplomatët e Republikës së Kosovës për vendin ku shërbejmë. Le t’i lexojë kabllogramet dhe analizat dhe do ta kuptojë atë. Dhe, në fund, le të pyesë diplomatët e huaj në Kosovë, nëse marrin udhëzime për veprime konkrete nga vendet e tyre dhe do ta merr përgjigjen e saktë.
Do të ishte e udhës, që kryeministri të peshoj fjalët në raport me njerëzit, që për dhjetë vite kanë lënë ambientin e tyre familjar dhe shoqëror për t’i shërbyer vendit. Ambasadorët e Republikës së Kosovës nuk janë “qyqana dhe qyqane”, por njerëz me dinjitet, që i përfaqësojnë dhe mbrojnë me shumë përkushtim interesat e Republikës së Kosovës”.
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...
BE kërcënon Rusinë me sanksione
Gara me jahte në Australi, humbin jetën dy persona