Ambasadori amerikan: Këto janë krejt çka folëm në takim me liderët kosovar!

00:33 | 1 Shkurt 2019
Trina Galanxhi

Ambasadori amerikan në Kosovë, Kosnett ka folur për takimin që kishte me liderët e institucioneve kosovare.

Ai në një intervistë të dhënë për Interaktiv të KTV-së, ka tregur detaje nga takimi me presidentin, Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe liderët tjerë.

Në vazhdim e gjeni përgjigjen e plotë të Kosnett për takimin me liderët:

Ishte një takim shumë i dobishëm, konstruktiv dhe i sinqertë.

Nëse më lejoni, të kthehem pak prapa. Dëshiroj t’ua përkujtoj shikuesve tuaj se çka duan Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Çka duam për Kosovën dhe për vendet e tjera të rajonit është paqja, prosperiteti dhe drejtësia.

Gjatë 20 viteve të fundit, mendoj se është e drejtë të thuhet, që SHBA-ja ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për të mbështetur miqtë tanë kosovarë në ndërtimin e një vendi të ri, në ndërtimin e demokracisë, ndërtimin e institucioneve të sundimit të ligjit, për të mbështetur kërkimin e Kosovën për siguri.

T’i përmendi vetëm dy shembuj prej kur kam ardhur unë këtu:SHBA-ja në mënyrë aktive e ka mbështetur tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sepse ne mendojmë që Kosova – si çdo vend tjetër në botë – ka të drejtë për vetëmbrojtje.

Po ashtu, kemi lajmëruar programin e ri kompakt të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, që është vetëm një mënyrë se si SHBA-ja po i ofron ndihmë zhvillimit ekonomik të Kosovës. Pra, ne besojmë se një Kosovë e fuqishme, paqësore, e begatshme, me drejtësi për të gjithë qytetarët e saj, është e mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për SHBA-në.

Ne mendojmë se për të arritur përparim në sundimin e ligjit, në zhvillimin ekonomik, në stabilitetin rajonal, është jetike që dialogu me Serbinë të rifillojë sa më shpejt që është e mundur. Kjo na sjell te çështja e taksës. Më duhet të them se ka pasur disa rrëfime ngatërruese dhe të keqinformuara. Pak para se të vija këtu lexova se SHBA-ja ka kërcënuar me sanksione ekonomike kundër Kosovës.

Dëshiroj t’i siguroj edhe njëherë njerëzit se nuk është ashtu. Kjo nuk është mënyra se si SHBA-ja dëshiron të merret me miken e saj, Kosovën. Megjithatë, besoj se çka kërkojmë nga Kosova është lidership i guximshëm. Është shumë lehtë që të vendoset se ka arsye për t’i shtyrë negociatat me Serbinë. Nuk mendojmë se kjo është në interes të Kosovës, Serbisë apo të Shteteve të Bashkuara. Mendojmë se sistemi po funksionon; procesi po funksionon.

Krijimi i delegacionit shtetëror është shenjë shumë pozitive dhe diçka që po bëj si ambasador amerikan është se po mbaj takime me partitë opozitare që ende nuk kanë vendosur për t’iu bashkuar procesit të delegacionit shtetëror sepse mendojmë se është me rëndësi që partitë opozitare të angazhohen me delegacionin shtetëror, edhe nëse ende nuk janë të gatshme që t’i bashkohen atij zyrtarisht.

Ata duhet të flasin me prijësit e delegacionit për t’ua sqaruar shqetësimet e zgjedhësve të tyre, dëshirat e zgjedhësve të tyre. Sepse ne mendojmë se është me rëndësi që përpjekjet për të negociuar me Serbinë – që ky të jetë proces i unitetit kombëtar ku dëgjohen të gjithë zërat e Kosovës. E kjo ishte një hyrje shumë e gjatë për pyetjen tuaj.

 

 

Të ngjashme