Aliu sheh gjasa reale për rrëzimin e Qeverisë

23:59 | 20 Maj 2019
Trina Galanxhi

Liburn Aliu, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se ka mundësi reale që shumë shpejt të fillojë një mocion mosbesimi dhe të rrëzohet Qeveria Haradinaj.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se pret që shumë shpejt të ndërmerren hapat e parë për rrëzimin e Qeverisë, ndërsa ka shtuar se beson që zërat e pakënaqur brenda koalicionit qeverisës do të dalin me votë pro rrëzimit të Qeverisë.

“Ka mundësi reale që të fillojë një mocion. Lëvizja është në një fushatë të themi. Bëjmë tubime nëpër qendra kundër PANhajnisë. Ka gjasa reale që të fillojë mjaft shpejt, këto ditë. detajet nuk i di, por nga ajo që di prej deklaratave, janë të gatshëm edhe PSD-ja të japin nënshkrimet dhe votën për rrëzimet e qeverisë. Ka gjasa që të ndodhë shpejt. Përpjekja për rrëzimin e qeverisë do të sigurojë votat. Duket në sy të parë që Qeveria s’i ka votat për të mbajtur veten, por duhen më shumë se gjysma e deputetëve të votojnë për rrëzim. Ka deputetë të pakënaqur brenda pozitës. Ka zëra të pakënaqur. Po besoj se do të na bashkëngjiten”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet për “mënyrën tejet të rëndë të udhëheqjes e që ka degraduar më keq se qeveritë e shkuara”.

“Nëse thuhej dikur ajo ishte më e keqe se të shkuarat, kjo ka degraduar edhe më shumë”, ka thënë ai teksa ka përmendur marrëveshjen për Kosovën e Re, autostradat e mbipunësimet në Telekom si arsye shtesë për rrëzim të Qeverisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme