Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në një intervistë për Televizionin Shqiptar, e ka ripërsëritur deklaratën e tij, se Kosova është krahinë e Shqipërisë.
“Kam thënë atë që ka qenë, atë që është, kam thënë realitetin. E kam thënë në Prishtinë në një aktivitet dhe kam thënë: siç është Myzeqeja siç është Labëria ashtu është dhe Kosova. Sepse kështu është. Flas për Shqipërinë që ka qenë si një territor i banuar nga shqiptarët. Seç ndodhi më vonë, me zhvillimet historike dhe këtu Evropa na ka një borxh të madh, duke nisur që nga Kongresi Berlinit…”, ka thënë Moisiu, pasi gazetari ia ka kujtuar deklaratën që kishte ngjallur reagime.
Më tej Moisiu ka sqaruar se pse Evropa u ka borxh shqiptarëve.
“Na ka borxh. Më 1913 ministri i jashtëm i Anglisë në kongresin e ambasadorëve, kur u mbyll kjo punë, pasi raportoi në dhomën e komuneve tha: ‘zotërinj ne bëmë një gjë të mirë. Vërtet mund të na kritikojnë. Shqipërisë i kemi hyrë në hak, por rëndësi ka, jo ajo çfarë i bëmë Shqipërisë, por ajo që ne arritëm të evitojmë përplasjen mes aleatëve të mëdhenj të Evropës’”, tha Moisiu.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në shënim të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, në maj të vitit 2011, kishte vizituar komunën e Skënderajt dhe kishte bërë homazhe te varri i komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë dhe me këtë rast kishte thënë se Kosova është krahinë e Shqipërisë.
“Kështu ka qenë, nuk është se po e shpik unë. Ky është një realitet. Nuk duhet të kemi frikë dhe nuk duhet të druhemi që ta themi, sepse kjo është një e vërtetë historike”- ishte shprehur ai më parë./TVSH/
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...