Google ADS

Albin Kurti thotë se vetëm një frikacak si Thaçi mund ta shpëtojë Vucicin

19:41 | 16 Shtator 2018
V. S.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka bërë një analizë fjalimit të Aleksander Vucic, President i Serbisë, një javë pasi vizitoi Kosovën, duke konstatuar se shefi i shtetit serb vajtoi në Kosovë. Ka thënë se situata bëhet e rrezikshme kur njeri i fuqishëm si Vucici vajton. Krejt fjalimin e Presidentit të Serbisë e ka krahasuar me dy fjalimet e Sllobodan Milloshevicit në Kosovë në vitet 1989-89, kur edhe kishte nisur regjimi serb dhunën e madhe mbi shqiptarët e Kosovës.

Në gjithë këtë situatë, Kurti ka lëshuar akuza në drejtim të Hashim Thaçit të cilin e ka quajtur idiot që do të mund të shpëtonte një shovesnist siç është Vucici.

“Vetëm një frikacak e  idiot si Thaçi mund ta shpëtojë një shovinist si Vuçiqi”, ka shkruar Kurti, në një tekst të gjatë publikuar në facebook.

Teksti i plotë:

Lotët e krokodilit vegjetarian, ose, mbrojtja është sulmi më i mirë

U bënë një javë nga fjalimi i Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Mitrovicë, kurse Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ende nuk e tha asnjë fjalë për atë fjalim.

Fjalimi i Vuçiqit ishte fjalim vajtues. Mirëpo, kur vajton një njeri i fuqishëm situata është e rrezikshme. Ky fjalim i 16 shtatorit 2018 në Mitrovicë nuk i përngjante fjalimit të Milosheviqit në Gazimestan më 28 qershor 1989, por shumë më tepër fjalimit të Milosheviqit në Fushë Kosovë më 24 prill 1987. Atëbotë Milosheviqi do t’u thoshte serbëve “askush nuk guxon t’ju rrahë”. Me këtë ‘mbrojtje’ të serbëve pat nisur asokohe sulmi i madh mbi shqiptarët dhe Kosovën.

“Ju premtoj se askujt nuk do t’i lejojmë të përdorë armët e municionin kundër jush. (…) I lus të gjithë në anën tjetër që të më kuptojnë shumë seriozisht dhe të më pranojnë shumë seriozisht – për asnjë çast nuk do të kem mëdyshje në nevojën për ta mbrojtur popullin tonë, nëse në cilëndo pjesë të Kosovës dhe Metohisë populli ynë do të sulmohet.” – kështu tha Vuçiq sot një javë në Mitrovicë. Ky është gjithsesi një kërcënim, sepse në Kosovë nuk ka më krim ndëretnik. Edhe vetë serbët thonë atë që e dinë: Oliver Ivanoviqin nuk e vranë shqiptarët, por Beogradi.

Vuçiq lavdëroi Milosheviqin duke thënë që “Milosheviqi ka qenë lider i madh serb, qëllimet i ka pasur patjetër më të mirat, por rezultatet i patëm shumë më të këqija. Jo pse ai ose kushdo tjetër e ka dëshiruar këtë, por për shkak se dëshirat nuk kanë qenë reale dhe interesat e tendencat e popujve të tjerë i kemi shpërfillur e nënçmuar, dhe për këtë kemi paguar çmimin më të lartë e më të rëndë.”

Vëreni se si ai jo vetëm që lartëson qëllimet e mira të Milosheviqit, por edhe identifikohet me rezultatet e këqija për të cilat flet në veten e parë shumës (sic.). Madje, Vuçiq nuk lë pa kritikuar kundërshtarët e tij politikë (ndonëse pa e përmendur këtu me emër ish kryeministrin e vrarë serb, Zoran Gjingjiq) të cilët në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës i kanë dorëzuar Slobodan Milosheviqin dhe gjeneralët e ushtrisë e të policisë serbe: Ojdaniqin, Vladimir Llazareviqin, Nebojsha Pavkoviqin e Sreten Llukiqin.

Pastaj, në njërën anë, presidenti serb thotë “Faleminderit miqve tanë nga Rusia që kanë qenë politikisht me Serbinë, edhe kur askush nuk ishte.”, ndërkaq, në anën tjetër, shan NATO-n: “Ka luftuar Serbia kundër NATO-s me nder dhe trimëri në vitin 1999, ka mbrojtur veten, por kemi humbur, ata ishin shumë më të fuqishëm e shumë më të pasur, ishin qyqarë të mëdhenj, prandaj u duhej të hidhnin më shumë bomba nga ajri në popullin tonë. Humbëm si 610 vjet më parë…”

Vuçiq edhe vajton për serbët që kanë rënë për Kninin, Sarajevën dhe Prishtinën, por, edhe flet me nostalgji për kohën para 30 vjetëve kur serbë paska pasur 3 herë më shumë në Kosovë sesa tani. Përveçse gënjen meqë në Kosovë kurrë s’ka pasur 400 mijë serbë (pasi që sot janë 132 mijë), atij nuk i intereson se ndoshta në mesin e serbëve në Kosovë kishte kolonë, që zaptuan tokat e shqiptarëve, aso të reformës agrare midis dy luftërave botërore, të Rankoviqit apo edhe vetë Milosheviqit.

Vuçiq njëmend e kritikon idenë e spastrimit etnik por me renditje të qartë raciste: e quan vizion deluzor atë të Kosovës pa shqiptarë, ose, edhe më keq se kaq, atë të Kosovës pa serbë (sic.).

Pas vajtimit për luftërat e humbura, fshin lotët, dhe thekson: “Nuk jemi bërë më të mëdhenj. Tash pa asnjë pikë gjak, të askujt, po bëhemi më të mëdhenj.” Mbase kjo ishte përgjigje ndaj atyre që mendojnë se ai do ta ndryshojë synimin për Serbinë e Madhe. E, kur Vuçiq ju referohet investimeve nëpër fshatrat e komunat me shumicë serbe në Kosovë, ai flet si të ishin ato në Serbi e jo në Kosovë, dhe, sikur paratë po i nxirte nga xhepi i vet.

Vuçiq flet jo pak për ardhmërinë mirëpo citon sundimtarin serb dhe pushtuesin e Kosovës Stefan Nemanja nga shekulli XII, depotin serb Stefan Llazareviq nga fundi i shekullit XIV e fillimi i atij XV, peshkopin serb Nikolaj Velimiroviq nga fillimi i shekullit XX, që njihej për nacionalizmin pansllavist e antisemit, si eminencë gri dhe bekues i vullnetarëve të organizatës fashiste serbe “Zbor”, e i cili u kanonizua si shenjt njëzëri nga Kuvendi i Kishës Ortodokse Serbe vetëm një javë pasi që u vra Zoran Gjingjiq, më 19 mars 2003. Ndërkaq, nga të gjithë intelektualët bashkëkohor serbë, Vuçiq arrin të citojë vetëm gazetarin e njohur Aleksandar Tijaniq i cili gjatë sundimit të Milosheviqit, në vitin 1996, kishte qenë katër muaj ministër i informatave (post që do ta marrë vetë Vuçiq dy vjet më vonë).

Sigurisht se ajo që kujtdo i bëri përshtypje, jo vetëm nga ky fjalim por nga e gjithë vizita e tij, është se si Vuçiq në Kosovë fliste si demograf, për natalitet e moshë mesatare, për vitalitet popullsie gjithnjë mbi baza etnike. Veçse kur kreu nacionalist i një shteti flet si demograf kjo do të thotë se ai tashmë ka përqafuar pikëpamje naziste.

Pas këtij fjalimi mbi 40 minutësh që përveçse ishte i cekët kishte edhe shumë redundancë, të mendosh se mund të merresh vesh a pajtohesh me Vuçiqin, do të thotë që ke rënë në pozitat e nacionalizmit serbomadh (dhe këtu pak ka rëndësi se a nga frika prej lepuri apo naiviteti prej struci ke besuar të jetë vegjetarian krokodili).

Vetëm një frikacak a idiot si Thaçi mund ta shpëtojë një shovinist si Vuçiqi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme