Google ADS

Aktakuzë për falsifikim të dokumentit zyrtar ndaj ofiqarit të Mamushës

13:11 | 3 Shtator 2019
V. S.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër M.Sh., në cilësi të ofiqarit në Komunën e Mamushës, dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 434 paragrafi 1, dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari M.Sh., në cilësi të personit zyrtar, si ofiqar në zyrën e Komunës në Mamushë, në dokumentin zyrtar nuk i shënon të dhënat e duhura, në atë mënyrë që me datë 02.02.2016, e përpilon “Aktvdekjen” për të ndjerin R.M, duke paraqitur si trashëgimtarë bashkëshorten e ndjerë H.M, bijtë e tij I.M., S.M., I.M., dhe Gj.M., pa e përfshirë si trashëgimtar edhe birin tjetër të tij, të dëmtuarin Z.Sh., i cili dokument në ndërkohë është përdorur si provë për trashëgimi te noteri. Me këto veprime, i akuzuari M.Sh., kryen veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari A.M., vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik,  të vërtetojë një çështje të pavërtetë, në atë mënyrë që pas datës 02.02.2016, shkon në Zyrën e Noteres në Mamushë, e dorëzon “Aktvdekjen” me të dhënat e përshkruara si më lartë në bazë të së cilës, Noterja sjell “Aktvendim Trashëgimor” pa qenë i përfshirë në trashëgimi i dëmtuari Z.Sh. Me këto veprime, i akuzuari A.M., kryen veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” sipas KPRK-së.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit M.Sh., dhe A.M., kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme