Google ADS

Aksidentet në Kosovë, nga janari deri në nëntor të vitit 2018 humbën jetën 110 persona

15:09 | 2 Janar 2019
V. S.

Gjatë vitit që lamë pas në Kosovë aksidentet fatale kanë qenë shqetësuese, pasi nga muaji janar deri në muajin nëntor kanë humbur jetën 110 persona në aksidente trafiku.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Sipas tij, nga janari deri në muajin nëntor kanë ndodhur gjithsej 14,393 aksidente nga të cilat 85 me fatalitet.

Siç tha Hoxha numri i aksidenteve në vitin që lamë pas duke e krahasuar me vitin 2017 ka rënie në 20 për qind, pasi në vitin 2017 kishin ndodhur 16,122 aksidente trafiku nga të cilat 107 me fatalitet.

“Nga Janari deri më 30 dhjetor 2018 aksidentet fatale sipas statistikave kanë shënuar rënie për rreth 20%, përderisa për këtë periudhë kemi 13 persona më pak të vdekur si pasojë e aksidenteve në rrugë”, ka thënë Hoxha.

Ai po ashtu tha se Policia e Kosovës është duke përcjellë në vazhdimësi gjendjen e sigurisë në trafikun rrugor.

“Me njësitet e saj po ndërmerr veprime parandaluese dhe aktive për të ndikuar në parandalimin e aksidenteve”, u shpreh ai.

Zëdhënësi i policisë, Hoxha theksoi se ditëve të fundit raportimet për aksidente trafiku me pasoja fatale në jetët e njerëzve kanë qenë tepër shqetësuese.

“Ne po mundohemi që përmes mesazheve të vazhdueshme të sensibilizojmë pjesëmarrësit në trafik për një përmirësim të gjendjes në trafik. Gjithashtu plane operative policore konkrete janë në proces nga Policia për implementim dhe menaxhim të trafikut rrugor. Policia kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në rrugë, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore në pajtim me ligjin mbi trafikun rrugor, prandaj keni kujdes sepse me vigjilencën tuaj ju mund t’i zvogëloni pasojat. Tash në këtë periudhë të festimeve u kërkojmë të gjithë qytetarëve që mos të drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit, mos të vozisin kur janë të lodhur apo në rrethana tjera që ndjejnë vetën të papërgatitur, por gjatë drejtimit të automjeteve të jenë të përqendruar dhe vigjilent sepse çdo pakujdesi apo mos respektim i shenjave në rrugë mund të ju kushtoj me jetë”, tha Hoxha.

 

Ai gjithashtu potencoi se masa rigoroze ndëshkuese do të aplikohen për zbatim dhe implementim të ligjit me qëllim të vetëm parandalimin e aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe nëpër rrugët e Kosovës.

Ndërkaq, në muajin korrik të këtij viti pesë anëtarë të familjes Sadikaj nga Sopia e Suharekës, kanë humbur jetën në një aksident trafiku.

Po në këtë vit në aksident trafiku humbën jetën edhe katër anëtarët e familjes Shala./Telegrafi.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme