Kryetari i Partisë Social Demokrate (PSD), Shpend Ahmeti në një postim të gjatë në Facebook ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, e cila iu referuar liderëve aktual në Kosovë si “njerëz të dalë nga mali”.
Ahmeti, i cili njëherësh është edhe kryetar i komunës së Prishtinës, ka thënë se emëruesi i përbashkët i gjithë kësaj është se është deklaratë raciste, derisa ka pyetur se si mund të jetë racizëm kur ka të bëjë me racë të njëjtë.
Sipas tij, kjo deklaratë e kryeministres serbe është shpërfaqje e shoqërisë serbe ndaj lidershipit të Kosovës e shqiptarëve në përgjithësi.
Ahmeti ka shprehur shqetësimin edhe për racizmin kulturor në shoqërinë kosovare.
Postimi i plotë i Ahmetit në Facebook:
Mirëmëngjes o njerëz të malit, mos rrini shumë nëpër fusha
Ngjarjet e javës së fundit kanë ngritur një diskutim dhe reagim interesant në shoqërinë tonë. Gjatë prezantimit të Raportit të Progresit në Serbi, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, deklaroi se me shqiptarët është vështirë për tu biseduar. Duke ju referuar lidershipit aktual në Kosovë, ajo tha që me këta njerëz është vështirë të bisedosh, duke shtuar se “tekstualisht sapo kanë dal nga mali”. Një referencë që mund të shpjegohet në shumë mënyra, mund ti referohet kryengritjes dhe luftës gerile në “mal” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të kuptohet si reference për prejardhjen nga fshatrat “mali” të udheheqësine sonë apo mund ti referohet mungesës së përvojës së shtetit tonë. Pra një shtet i krijuar nga mali.
Por emëruesi i përbashkët i çfarëdo reference që dikush mund ti jap është vetëm një: kjo deklaratë është RACISTE. Problemi edhe më i madh është se kjo nuk është një lëshim i vogël, një gabim i lehtë i Brnabiqit. Kjo është shpërfaqje e qasjes që Serbia, apo një pjesë e madhe e shoqërisë serbe e ka karshi jo vetëm udheheqësisë së Kosovës, por krejt shqiptarëve në përgjithësi. Në fakt Brnabiqi është problemi më i vogël në këtë drejtim.
Një pjesëtare e LGBT, grup i margjinalizuar e i sulmuar gjithandej nëpër shoqëritë në Ballkan e më gjerë, është anëtare e një partie te djathtë radikale, lideri i së cilës ka marr pjesë në protesta e rrahje kundër komunitetit LGBT. Në këtë rast, është për keqardhje që Brnabiq ka komplekse të inferioritetit dhe nevojë për tu treguar e denjë për partinë e Vuqiqit. Prandaj edhe bën gabime të tilla, sepse dëshiron të tregohet sa më antishqiptare që mundet. Por, ajo që duhet të adresohet është racizmi prezent në cepe të ndryshme të shoqërisë e edhe të atyre të cilët vetën e quajnë progresiv në Serbi.
Përgjigja e parë është në pyetjen se si mund të bëhet fjalë për racizëm kur bëhet fjale për racën e njëjtë. Racizmi në kuptimin e vetë ka marr një definicion shumë më të gjerë dhe i referohet ndjenjës së superioritetit që dikush mund të ndjejë edhe në baza etnike apo kulturore. Pra, neoracizmi apo racizmi kulturor është prezent në gjitha shoqëritë, por në rastin tonë kemi të bëjmë me shprehje të hapur të racizmit kulturor që mbizotëron në Serbi në drejtim të shqiptarëve.
Reagimi në Kosovë ishte interesant. Një përbashkim rreth kësaj fjale u përcjell me reagimin e zakonshëm të qeveritarëve “të indinjuar”, e “të prekur thellë” duke kërkuar reagimin e “ndërkombëtarëve” për këtë “skandal” të qeverisë serbe. E pritshme, e zakonshme dhe pa efekt. Nuk ndërron mendje as Evropa e as Serbia për shkak të këtij reagimi. Ndoshta mund ta kemi një kërkim falje por ajo nuk e zbut racizmin.
Por ajo që ishte edhe më interesante edhe më simpatike edhe më e efektshme ishte reagimi në rrjete sociale me Tëittat e Statusat e “Njerëzve sapo të dalë nga Mali”. Ky reagim totalisht pa komplekse dhe jo-inferior është përgjigja më e mirë që një shoqëri mund të ja jap një racizmi ksenfob serb në Kosovë. Në këtë reagim u bashkangjit edhe ambasadori gjerman në Kosovë i cili kishte postuar diçka me Njerëzit nga Mali.
Serbet progresiv në rrjete sociale u mahnitën me përgjigjen nga Kosova, e cila nuk reagoi me të shame të njëjta, dhe nuk reagoi me racizmin klasik dhe inatin hakmarrës dhe momental. Në fakt tregoi se përgjigja mund të jetë edhe më intelektuale, edhe më mikpritëse edhe më arsimuese jo vetëm për serbet por edhe për shqiptarët.
Sot shqiptarët kanë korr suksese gjithandej nëpër botë. Kosova ka edhe qytete edhe fshatra edhe rrafshe edhe male. Ka njerëz të suksesshëm në të gjitha sferat dhe nga të gjitha prejardhjet. Nuk duhet të jetë kompleks të qenurit as nga mali e as nga fusha. Nuk duhet të jetë kompleks as të qenurit nga fshati e as nga qyteti. Nuk duhet të jetë kompleks të qenurit i pasur apo i varfër. Nuk duhet të jetë kompleks të qenurit shqiptar apo serb, rom apo boshnjak, turk apo ashkali.
Duhet ta kuptojmë që të gjithë jemi njerëz. Dhe si të tillë jemi të barabartë. Të qenurit i një race, klase ekonomike, etnie, feje, gjinie e çfarëdo përkatësie nuk duhet të jetë as përparësi e as dobësi. Kur një deklaratë e Brnabiqit na e kujton këtë dhe na bën të luftojmë për këtë barazi atëherë jam shumë i lumtur. Kur inatit e racizmit i kthehemi me zemërgjërësi e vlera, atëherë fitojmë. Prandaj ky reagim i joni nuk do të ketë efekt në Bruksel e kryeqendra tjera. Por neve si shoqëri na jep shpresë që ne po ndërtojmë diçka ndryshe.
E prej kësaj mund të mësojmë shumë edhe në Kosovë. Racizmi kulturor është prezent në shoqërinë tonë. Shumë shpesh në qytete kemi përdor referencën e njëjtë për të sharë qeverinë. Nuk reagojmë në shoqëri në shtëpi kur dikush thotë “magjup” apo “shka”. Në këngët tona flasim për superioritetin tonë si komb. Te ne ka sulme të përditshme në ata që duken, flasin apo janë të tjerë nga ne.
Prandaj kemi edhe shumë punë për të bërë, por gjeneratat e reja nuk guxojnë të shkojnë në humnerën e njëjtë të paragjykimeve, ksenofobisë e stereotipeve të zakonshme ballkanike.
Në vend se qeverinë tonë ta sulmojmë për prejardhjen e tyre, më mirë është të flasim e sulmojmë hajninë e tyre. Korrupsioni nuk ka etni, gjini e fe. Është korrupsion. Huliganizmi nuk ka përkatësi e prejardhje nga mali apo fusha. Është huliganizëm. Racizmi nuk është gabim sintaksor e lëshim gjuhe. Është racizëm.
Këtë reagimin e shkëlqyeshëm ndaj racizmit të Brnabiqit ta përdorim edhe si reagim në shoqërinë tonë ndaj racizmit që kemi brenda nesh.
Biden takon liderët e Koresë së Jugut dhe Japonisë
Kurti në 25-vjetorin e BQK-së: Duke kujtuar të kaluarën, men...
Abdixhiku në Podujevë: Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndrysh...
Autoritetet zvicerane iu dalin “hak” huliganëve ...
Kosova dominon në Bukuresht, por nuk ka gola pas pjesës së p...
Kuvendi me sqarim për kontratën e re për pastrim dhe mirëmba...