Google ADS

Ahmeti ka një plan tjetër për vendin ku do të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit

21:00 | 1 Qershor 2019
Arditë Shkodra

Muzeu i krimeve serbe në Kosovë, nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është zgjedhur për t’u ndërtuar në objektin i ish-Tjegullores në Prishtinë.

Ky objekt është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Por, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se kanë fituar të drejtën që parcelën ta kthejnë në pronë të komunës, pasi ia kanë paguar AKP-së gjysmën e parave për shpronësim, raporton KTV.

Ahmeti thotë se nuk janë kundër muzeut, por, si Komunë, mund ta caktojnë një lokacion tjetër. Ai ka thënë se tashmë edhe në kadastër, prona është në emër të Komunës së Prishtinës.

Kohavisioni ka pyetur AKP-në nëse zyrtarisht objekti ka kaluar në pronësi të komunës, por agjencia nuk ka dhënë detaje.

Vetëm ka thënë se për këtë çështje, AKP-ja ka bashkëpunim të ngushtë me institucionet qendrore dhe lokale.

“Siç e dini, Agjencia Kosovare e Privatizimit është agjenci e pavarur që është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe mbikëqyret e i raporton Kuvendit të Kosovës. Agjencia bashkëpunon ngushtë me institucionet qendrore e lokale të Republikës sonë dhe respekton kërkesat e vendimet e institucioneve që kanë të bëjnë me interesin publik, gjithnjë duke iu përmbajtur ligjeve në fuqi. Edhe në këtë rast, Agjencia ju konfirmon bashkëpunimin e ngushtë që ka me institucionet tona për të mirën e përgjithshme”, është thënë në një përgjigje nga AKP.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se ky muze do të shërbejë si qendër për dokumentimin e krimeve dhe do të ketë rol në përgatitjen e aktakuzave ndaj serbëve të dyshuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme